
Kontrolle në disa lokale të gastronomisë në Mitrovicë të Veriut, asgjësohen produkte ushqimore me afat të skaduar
Inspektorati komunal në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë kanë realizuar kontrolle rutinore në disa lokacione ku po zhvillohej aktiviteti i gastronomisë në Mitrovicë të Veriut.
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se gjatë inspektimeve më 17.03.2025 janë identifikuar biznese që kanë zhvilluar aktivitetin e gastronomisë pa siguruar kushtet elementare higjienike.
Sipas njoftimit, në disa nga lokacionet e inspektuara është pezulluar aktiviteti i punës deri në përmirësimin e kushteve të punës sipas sugjerimeve të Inspektoratit.
“Në disa nga lokacionet, është bërë asgjësimi i produkteve ushqimore për shkak të afateve të skaduara si dhe në mungesë të dokumentacionit për prejardhjen e produkteve ushqimore”- thuhet në njoftim.
Po ashtu është berë e ditur se inspektime rutinore janë realizuar edhe në kuzhinën e spitalit të qytetit, me ç’rast gjatë vizitës është takuar edhe përgjegjësi i spitalit, i cili njoftoi për mënyrën e funksionimit të kuzhinës. Ai u zotua se do të sigurojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm sipas kërkesës së inspektorëve.
Në njoftim thuhet se qeverisja lokale në Komunën e Mitrovicës së Veriut është e përkushtuar maksimalisht për përmirësimin e jetës së qytetarëve.