Tetë të vdekur nga zjarri në një Shtëpi të pleqve në Serbi

Tetë njerëz kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë lënduar të hënën, si pasojë e zjarrit në një Shtëpi të pleqve, në periferi të kryeqytetit të Serbisë, Beograd – raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Zjarri shpërtheu të hënën, rreth orës 3:30, në Komunën e Barajevës, në jug të Beogradit.

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq tha se 13 njerëz janë evakuuar nga ndërtesa, si pasojë e zjarrit.

Staroviq tha për RTS-në se, sipas të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.

Ai shtoi se Shtëpia e pleqve ka licensë të vlefshme pune dhe se plotësonte kërkesat për mbrojtje nga zjarri. Ai tha gjithashtu se për të evakuuarit është siguruar strehim i menjëhershëm.

Luka Qaushiq, ushtrues detyre i shefit të Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i tha RTS-së se në shtëpi ndodhshin 30 njerëz.

Shtatë të lënduar, shtoi ai, janë marrë nga autoambulanca dhe janë dërguar në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe në Qendrën Emergjente.

Një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

“Ata janë ende duke kërkuar nëse mund të ketë një burim të mbetur, që mund të shkaktojë ndonjë zjarr të ri, ndërsa shkaku do të përcaktohet në orët në vijim.” – tha Qaushiq.

Ai shtoi se Shtëpia e pleqve ndodhet larg rrugëve të frekuentuara, por zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe të lënduarve u është ofruar ndihmë sa më parë.

Barajeva është një nga 17 Komunat e Beogradit dhe ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së Kryeqytetit./REL