Shkon në 66 numri i viktimave të zjarrit në hotelin e rezortit turk

Një zjarr që ka përfshirë një hotel në rezortin turk në Bolu ka lënë të vdekur 66 persona dhe të lënduar 51 të tjerë – kanë konfirmuar zyrtarët turq – raporton të martën, më 21.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

Fillimisht u raportua se numri i të vdekurve ishte dhjetë persona në orët e para pas shpërthimit të zjarrit – njoftoi Ministria e Brendshme e Turqisë. Së paku dy prej viktimave kanë vdekur, pasi janë hedhur nga dritaret e hotelit – raportojnë mediat turke.

Lajmin e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Zjarri ka shpërthyer në orën 03:27, në hotelin 12-katësh “Grant Kartal”, gjatë një periudhe të ngarkuar pushimesh, në kohën kur në bujtinë ndodheshin 234 persona – ka shtuar ai.

Pamjet që kanë qarkulluar në Turqi tregojnë çarçafë të varur për kornizat e dritareve, që tregon se njerëzit ishin munduar të shpëtonin prej zjarrit që kishte përfshirë ndërtesën.

Guvernatori i Bolut, Abdulaziz Aydin ka thënë se raportet e para sugjerojnë se zjarri kishte shpërthyer prej pjesës së restorantit që ndodhej në katin e katërt dhe se ishte përhapur në katet e sipërme.

Hoteli po hetonte nëse mysafirët ishin ngujuar në dhoma, derisa zjarri kishte përfshirë pjesë të tjera.

Guvernatori ka thënë para gazetarëve se distanca ndërmjet hotelit në Kartalkaya dhe qendrës së Bolut, bashkë me temperaturat e acarta, kanë vështirësuar edhe më shumë arritjen e zjarrfikësve që janë vonuar më shumë se një orë.

Përpjekjet e shpëtimit kanë vazhduar edhe në mëngjes dhe ministri i Brendshëm ka thënë se shërbimet emergjente kanë dërguar 267 persona për t’iu përgjigjur situatës.

Edhe në mëngjes ka pasur ende përpjekje për të arritur në pjesë të caktuara të hotelit të djegur.

Malet Bolu janë të njohura për skijatorët nga Stambolli e kryeqyteti Ankara dhe hoteli po operonte me numër të lartë vizitorësh, për shkak se porsa kishte nisur pushimi dimëror dyjavor i shkollave.

Qyteza veriperëndimore ndodhet 170 kilometra larg kryeqytetit Ankara. Ende nuk dihet zyrtarisht se cilat ishin shkaqet e zjarrit.

Ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunc ka thënë se prokurorët kanë dalë në vendin e ngjarjes për ta hetuar shkakun e zjarrit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com