
OVL e UÇK-së: Gjykata Speciale ka refuzuar lirimin e Hashim Thaçit që të marrë pjesë në varrimin e babait të tij
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur indinjatën ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, e cila, sipas saj, ka refuzuar lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
OVL UÇK këtë vendim e ka quajtur të padrejtë, johuman dhe të papranueshëm.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”- thuhet në njoftim.
Tutje, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila, sipas saj, synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish-luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.
Kjo organizatë u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë.
“Të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj “shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve nga Gjykata Speciale në Hagë”.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Thaçi ka vdekur të dielën në mbrëmje, më 16.03.2025.
Hashim Thaçi e vizitoi babanë e tij të sëmurë më 13.03.2025.
Pasi kishte përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi ishte kthyer në Hagë, ku po gjykohet për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së: Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.