Haradinaj- Stublla: Koha e kompromiseve të Kosovës ka mbaruar

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla për dialogun me Serbinë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues ka thënë se koha e kompromiseve të Kosovës ka mbaruar.

“Tani është radha e Serbisë të dëshmojë përkushtim serioz nëse e dëshiron ecjen përpara drejt Bashkimit Evropian – rrugë e cila kalon nëpër Kosovë!”, tha Ministrja e Jashtme sot gjatë takimit me Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Në komunikatën e MPJ-së thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar mbi zhvillimet politike dhe dialogun për marrëveshje finale me Serbinë.

Haradinaj-Stublla ka shprehur nevojën për vizion strategjik nga BE-ja për të vazhduar momentumin e krijuar në Uashington me marrëveshjen e normalizimit ekonomik dhe për të përmbyllur dialogun me Serbinë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.