Haradinaj - shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: Mos i besoni Kurtit, paska ardhë të ju mashtrojë për rrugën Tetovë - Prizren

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që mos “t’i besojnë” kryeministrit Albin Kurti.

Ky reagim i Haradinajt vjen pas vizitës që pati Kurti në dy komunat atje, Çair dhe Tetovë, e ku foli edhe për projekte infrastrukturore që do t’i lidhte dy shtetet.

“Të dashur bashkombas shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t’i gënjej më kosovarët, paska ardh të ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë – Prizren. Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”- ka shkruar kreu i AAK-së në Facebook.

 

Gjatë vizitës zyrtare që i ka bërë sot dje komunave të Maqedonisë së Veriut, Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në manifestimin mirëseardhës që u organizua për nder të tij, në sheshin “Iliria”.

Kurti në tubimin me qytetarët në Tetovë përmendi edhe projektin Prizren – Tetovë, për të cilin tha se vonesat janë të paarsyeshme.

“Vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme dhe unë kërkojë ndihmën e të gjithë juve dhe të secilit prej jush që jeni këtu, e që po na ndjekin tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që asnjë ditë të mos humbet pa punuar për këtë aksin rrugor i cili i lidhë Prizrenin me Tetovën, që te zoti në qiell kanë qenë një qytet e kur kanë rënë në tokë janë nda nga malet e Sharrit e janë bërë Tetova këtu e Prizreni në anën tjetër. Le t’i bëjmë Prizrenin e Tetovën një me aksin rrugor që na lidh me këtë tunel. Jemi marrë vesh kryeministrat, qeveritë, komisionet, vonesat janë të papranueshme” – ka thënë Kurti në Tetovë.