Haradinaj: Partnerët e PAN-it punuan për dobësimin tim si kryeministër

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza ndaj partnerëve të koalicionit PAN.

“Partnerët e koalicionit qeverisës gjithmonë kanë pasur synim forcimin e vetvetes, kalimin pa pasoja të etapave dhe krijim të partneriteteve të tjera potenciale në dëm të Kosovës. Kjo është e vërteta pse sot është ndarë koalicioni”, ka thënë Haradinaj në kuvendin e jashtëzakonshëm të punës së AAK-së.

Haradinaj po ashtu ka thënë se dy partnerët e koalicionit PAN, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj, kanë punuar në dobësimin e qeverisë së tij.

“Loja dyfytyrëshe e partnerëve në koalicion ka qenë e mirorkestruar dhe me ia bajt përgjegjësitë kryeministrit, mua. Kanë punuar në mënyrë të orkestrume për dy vite në dobësimin e kryeministrit”, ka thënë ai.

Ai nuk ka preferuar që përsëri të bëhet pjesë e një koalicioni me PDK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

“Kthimi në PAN nuk është formulë për Aleancën, sepse përvoja në kohën kur unë kam qenë në raste te caktume me mbrojtë interesin e Kosovës, kolegët e mi, bashkëpunëtorët që është dashtë me llogarit në ta, ata e kanë mbrojtë vetëm interesin personal dhe të partive të tyre”, ka shtuar kryeministri në detyrë.

Koalicioni parazgjedhor PAN ishte formuar në vitin 2017 kur po mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Kryeministër ishte zgjedhur Ramush Haradinaj.

Por, Haradinaj më 19 korrik 2019 dha dorëheqje nga kjo pozitë, pasi siç tha ai për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, kështu duke e dërguar Kosovën në zgjedhje të reja parlamentare të cilat u mbajtën më 6 tetor.

Qeveria e Haradinajt u kritikua për numrin e madh të zëvendësministrave dhe shpenzimet në darka e dreka zyrtare.

Megjithatë në këto zgjedhje partitë e koalicionit PAN kandiduan të vetme.