Foto: Atdhe Mulla

Politika e seleksionimit gjenetik 

Partitë e koalicionit PAN edhe mund të mos jetë më në pushtet, por ADN-ja e politikanëve përmes djemve, vajzave, motrave, kunatave, dhëndurëve, vjehrrive do të sundojë në institucionet kyçe shtetërore edhe shumë kohë.

 

Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) në disa pano reklamuese anë e mbanë Kosovës kishte vendosur këtë premtim: “Me ne në qeveri, çdo familje do të ketë nga një të punësuar”. Pas emërimit të qeverisë, ky premtim u përfshi edhe në planin qeverisës të Qeverisë Haradinaj. Qeveria po premtonte punësime sociale në baza familjare, pa marrë fare për bazë aftësinë e personave për punë. Por, ky është problemi më i vogël me këtë premtim.

Në kohën kur u dha premtimi për punësimin e një anëtari nga çdo familje, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin 121 mijë familje pa asnjë të punësuar. Rrjedhimisht, koalicioni po premtonte krijimin e 121 mijë vendeve të reja të punës.

Po sipas të dhënave të ASK, në qershor të 2017 ishin të punësuar 357,608 persona. Në kohën kur kryeministri Haradinaj dha dorëheqje dhe vendi është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të dhënat e ASK tregojnë se në Kosovë janë të punësuar 341,014 persona, apo 16,594 vende të punës më pak se sa në fillim të mandatit qeverisës të koalicionit PAN.

Përderisa vendet e punës në sektorin privat shkuan duke u rrudhur, punësimet në sektorin publik morën hov. Premtimi zgjedhor se “me ne në qeveri, çdo familje do të ketë nga një të punësuar”, u shndërrua në zotim për të punësuar çdo anëtar të familjarëve të PAN.

Nuk kaluan as dy muaj nga konstituimi i Qeverisë, kur në krye të Fondit Kosovar për Sigurime Shëndetësore u punësua dhëndri i kryeministrit Haradinaj. Në tetor të vitit 2018, daja i Kryeministrit u zgjodh si udhëheqës i sektorit të administratës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Në shkurt të vitit 2019, kunata e Haradinajt u punësua zi zëvendësdrejtoreshë e financave në Telekom.

Telekomi u bë adresa kryesore e punësimit të familjarëve. Kësisoj, në krye të Bordit të Telekomit u zgjodh gruaja e deputetit Bekë Berisha (AAK). Anëtari tjetër i Bordit të Telekomit, Osman Ejupi nga radhët e partisë NISMA, punësoi në kompani katër fëmijët e tij, aq sa kishte. Po në Telekom, u punësua edhe burri i deputetes Donika Kadaj-Bujupi (AAK). Ashtu siç u punësuan edhe bashkëshortja dhe vjehrri i deputetit Mërgim Lushtaku (PDK), djali i deputetit Muharrem Nitaj (AAK), djali i deputetes Teuta Haxhiu (AAK), motra e deputetit Bekë Berisha (AAK).

Nipi i Kryetarit të Këshillit Kombëtar të partisë NISMA, Jakup Krasniqit, u zgjodh si inspektor i naftës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, aty ku është angazhuar si këshilltar politik djali i kryetarit të partisë NISMA, Fatmir Limajt. Nga punësimet familjare nuk shpëtoi as Banka Qendrore e Kosovës, një ndër institucionet më të rëndësishme në vend. Në BQK u punësua edhe një kunatë tjetër e kryeministrit Haradinaj; aty u punësua burri i deputetes Evgjeni Thaçi-Dragusha (PDK); motra e Ministrit të Shëndetësisë, njëherit nënkryetarit të PDK, Uran Ismaili (PDK); vajza e zëvendësministrit, aktualisht ambasador i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedajt.

Pasi që e sollën Telekomin buzë falimentimit, radha i erdhi edhe gjigantit tjetër ekonomik, Korporatës Energjetike të Kosovës. Pasi që në krye të KEK u zgjodh kushëriri i presidentit Thaçi, u hap rruga për punësimet familjare në çdo sektor të korporatës. Aty u punësua edhe djali i vëllait të presidentit Thaçi, si dhe kushëriri i Kadri Veselit, kryetarit të PDK. Në KEK u punësua edhe djali i Ismajl Sylës, këshilltarit politik të Presidentit. Është e kotë të argumentohen lidhjet e Presidentit dhe këshilltarëve të tij me partitë e koalicionit qeverisës.

Por nuk ishin vetëm institucionet publike të cilat u mbushën me familjarë të politikanëve të PAN. Politika nuk e la pa u përzier as në sektorin e rregulluar publik, siç është menaxhimi i provimit të noterëve, i cili bëhet nga Ministria e Drejtësisë. Nga 175 kandidatë që kaluan provimin e noterisë nga rezultatet e shpalluara gjatë muajit korrik 2019, shumë nga ta ishin edhe familjarë të politikanëve të partive të koalicionit.

Ekzistojnë edhe shumë raste tjera për të cilat është raportuar në media, e me siguri janë edhe me dhjetëra raste tjera të punësimeve familjarëve të cilat ende nuk i dimë. Gjithnjë arsyetimet e politikanëve për punësimet e familjarëve të tyre në institucione është se ata janë më të mirët. Një lloj seleksionimi gjenetik. Sikur intelegjenca dhe madhështia të jenë të koduara në ADN-në e familjeve të pushtetarëve.

Gjatë këtyre dy vjetëve të qeverisjes së PAN, ritmi i degradimit profesional dhe politizimit të institucioneve të pavarura ka qenë dukshëm më i lartë se sa në mandatet e kaluara qeverisëse. Institucionet kryesore të shtetit të cilat duhet të sigurojnë stabilitetin financiar, furnizimin me energji, telekomunikimet, hapësirën ajrore, gjyqësinë, tani më janë komplet të menaxhuara nga Familja.

Në javët në vazhdim, partitë që përbëjnë koalicionin PAN sërish do kërkojnë votën e qytetarëve dhe do të premtojnë punësime, ndoshta edhe duke e përsëritur slloganin për një të punësuar nga çdo familje. Bartësi i listës së koalicionit PAN, Kadri Veseli, partia e të cilit është fajtorja kryesore për kapjen e shtetit, vetëm se ka filluar propagandën zgjedhore, se në mandatin e ardhshëm do të luftoj korrupsionin dhe nepotizmin. Pasi zaptuan institucionet nën slloganin “Misioni i Ri”, pasi punësuan familjarët nën slloganin “Fillimi i ri”, tani nën slloganin “Dekada e Re” premtojnë luftimin e korrupsionit të instaluar në dekadën e kaluar. Por nëse asgjë nuk kanë mësuar qytetarët e Kosovës për këto vite të qeverisjes PAN, së paku duhet ta kuptojnë se këto premtime nuk janë për qytetarët e familjet e tyre, por për familjet e politikanëve. Me këso parti në pushtet, çdo anëtar i familjes së politikanëve do të ketë një vend pune në shtet.

Muajin e kaluar gjatë një takimi të mbyllur në Komunën e Prizrenit që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, një zyrtar u ankua se “pushtetin e kemi ne, por sistemin e kanë ata”, duke aluduar në kontrollin e sistemit nga partia që ka qeverisur më herët me komunën. Qeveria Haradinaj dhe koalicioni PAN edhe mund të mos jetë më në pushtet, por pushteti i kunatave, dhëndurëve, motrave, djemve e vajzave të politikanëve të PAN do të vazhdoj edhe pas zgjedhjeve. Sistemi do të jetë në kontroll të PAN edhe shumë kohë pas zgjedhjeve.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e KALLXO.com.