Partnerët e koalicionit PAN

Limaj: Koalicioni PAN ishte bërë vetëm për poste

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, ka folur në lidhje me koalicionin PAN (PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate) të vitit 2017.

Limaj deklaroi se ai koalicion ishte bërë vetëm për poste.

“Koalicioni PAN është bërë vetëm për një arsye. Për mua ka qenë një koalicion joparimor, i minutës së fundit dhe është bërë për poste. Prandaj unë kam pasur hezitimet e mia në atë kohë. Prandaj kam pasur pakënaqësitë e mia, për një moment të tillë”, tha Limaj.

Ndërsa në lidhje me mundësinë e koalicionit parazgjedhor me PDK-në tash në zgjedhjet e 14 shkurtit, Limaj tha se ka pasur kohë që të ndërtohet një koalicion i mirëfilltë, që do të luftonte për vendin e parë.

“Ka pasur kohë për me u ulë e me bisedu, për ndërtimin e një koalicioni të mirëfilltë, një program dhe një kauzë të veçantë. Kjo është një dallim i madh. Për 6 muaj kemi pasur kohë të mjaftueshme, nëse kemi dashtë me e ndërtu një projekt dhe një kauzë. Nëse do të bëhej (tash) koalicioni, do të luftonte seriozisht për vendin e parë”, deklaroi Limaj.