Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj - Kurtit: Po të vjen fundi Albin!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka sulmuar sërish kryeministrin Albin Kurti, duke vënë në dyshim edhe patriotizmin e shefit të Qeverisë.

Haradinaj ka pyetur Kurtin pse ka kërkuar partneritet me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiqin, dhe për një takim që sipas kreut të AAK-së Kurti ka zhvilluar me agjentë serbë.

Ky reagim i Haradinaj vjen pasi që Kurti sot komentoi audio-incizimet, në të cilat pretendohet të jetë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Radoiçiqin, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.

“Dil e trego pse kërkove partneritet me Radojqiqin kur e ke ditur se ai ka qenë i ndjekur nga organet e rendit dhe i arratisur nga Kosova që prej nëntorit 2018, e në Listën e Zezë të Amerikës prej dhjetorit 2021?” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai i ka shtruar edhe një pyetje tjetër, për të cilën Haradinaj thotë se ndonëse është e vjetër, Kurti nuk është përgjigjur.

“Po ashtu, ende nuk je përgjigjur në një pyetje shumë të vjetër. Pse vite pas lirimit tënd nga burgu, me 17 janar 2004, në Dollc të Klinës, u gjete i mbuluar me batanije, në makinë me agjentë serb Gollub e Boban Donqiq?” – ka shkruar më tej kreu i AAK-së.

Sipas Haradinajt Albin Kurtit po i bie maska.

“Përgjigju Albin. Nuk mund të gënjesh më e as të fshihesh pas patriotizmit që asnjëherë nuk e ke pasur. Po të vjen fundi Albin!” – përfundon postimi i tij në “Facebook”.

I pyetur për bisedën mes Kusarit e Radoiçiqit, Kurti tha se ajo ka qenë e montuar.

“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiq ikë tash dhe dikur ishte në kryeministri. Zëdhënësi i subjektit Vetëvendosje e ka dhënë përgjigjen e saktë për këtë gjë. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi. Trysnia do të duhej të ishte që në Kosovë të ngritët aktakuzë”- u shpreh ai.

Kurti është pyetur nëse ndaj Mimoza Kusari – Lilës do të ndërmerren masa pas audio – incizimeve.

“Po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda të një bisede qe unë nuk e di ku është marrë, si është marrë, si është prerë e nga kush është organizuar. Por, edhe njëherë, unë jam kryetari LVV-së, dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare. Edhe po të ishte anëtare brenda LVV-së ka komisione. Nuk e ka LVV kryetarin diktator që merr vendime siç do të kishte dëshiruar ndokush”- ka thënë tutje ai.

Gazeta Nacionale më 03.06.2024 ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kusari-Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Sipas Kusari-Lilës, incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga Simiq nuk ka qëllim as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.