Haradinaj: Dështimi për t'u anëtarësuar në Këshillin e Europës i faturohet një njeriu - Albin Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës duhet t’i faturohet vetëm kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit. U bëj thirrje shteteve të BE-së, të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e t’ na e hapin rrugën e integrimit. Ne rrugë tjetër nuk kemi!”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës në mbledhjen e mbajtur sot më 17.05.2024 nuk e vendosën në agjendë të takimit çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.