Foto: REL/RFE
Hovenier: Ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Europës, Qeveria ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij beson që Kosova duhet të jetë anëtare e Bashkimit Europian, NATO-s e Këshillit të Europës.
Ai këtë deklaratë e dha gjatë një interviste për Radiotelevizionin e Kosovës, RTK.
Teksa foli lidhur me mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, ku Kosova mbeti jashtë agjendës, ambasadori tha se “Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet”.
Tutje Hovenier shtoi se SHBA qëndron po aq fuqishëm si gjithmonë me popullin e Kosovës në projekt për të parë Kosovën duke zënë vendin e saj në strukturat europiane dhe euroatlantike.
Hovenier tha se ka shpresë se qëllimi mund të arrihet dhe se ka besim se në të ardhmen Kosova do të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.
“Por, dua të theksoj përsëri kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë automatikisht. Ka disa gjëra specifike që Qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj” – u shpreh ambasadori amerikan në Kosovë.
Ai tutje tha se shumë anëtare të Këshillit të Europës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Sipas tij, shumë shtete europiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Gjatë intervistës, Hovenier tha se pajtohet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv, nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë, nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën aktuale të Kosovës.
“Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe” – theksoi ambasadori në intervistën në RTK.
Tutje ai tha se Asociacioni është i domosdoshëm për Kosovën, e se këtë Shtetet e Bashkuara e kanë thënë vazhdimisht publikisht për një kohë shumë të gjatë dhe në administrata të ndryshme.
Intervistën e plotë të ambasadorit amerikan mund ta gjeni duke klikuar KËTU.