Foto: Albin Kurti/facebook
Konjufca hamendëson që moskoordinimi mes MPJD-së dhe Presidencës ka qenë "për shkak të largësisë së madhe"
Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, për mungesën e koordinimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme me Presidencën në lidhje me letrën e dërguar nga ministrja Donika Gërvalla-Shchwarz, thotë se ka hamendësuar që ka qenë si pasojë e “largësisë së madhe”, meqë presidentja Vjosa Osmani ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë kam hamendësuar që ka mundur me ndodh për shkak të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për shkak të largësisë, jo çdo hollësi që ndryshonte çdo minutë atë ditë në Këshillin e Europës, mund të ndahet edhe të koordinohet” – tha Konjufca për media.
Konjufca tha se nuk sheh mosvullnet nga ana e Qeverisë apo Ministria e Jashtme që të bëjë diçka të qëllimshme kundër presidentes ose të mbajë fshehur prej saj.
“Ka qenë thjesht teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësuar që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndajë të gjitha me Presidencën, dhe Presidenca e ka pasë reagimin e saj”- tha Konjufca.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur “qesharake” deklaratën e kryekuvendarit, Glauk Konjufca, për mosinformimin rreth letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e kishte dërguar në Këshillin e Europës pa u konsultuar me presidenten e vendit.
Në një pronocim para gazetarëve, Konjufca e ka “shfajësuar” në një formë ministren e Jashtme, duke thënë se Osmani ato ditë kishte qenë jashtë vendit.
Kësaj deklarate i është përgjigjur Osmani duke thënë se në kohën moderne ekzistojnë mundësi të shumta të komunikimit dhe se arsyetimi se ajo nuk ka qenë në Kosovë është qesharak.
“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë. Do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtetë deklaron diçka të tillë, sepse jemi në vitin 2024, ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi”- tha presidentja Osmani për EkonomiaOnline.
Më 16.05.2024, Presidenca e Kosovës kishte reaguar në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin dhe draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Paraprakisht të enjten (16.05.2024) ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz në konferencën për media e pyetur nga gazetarët se a ka pasur dakordim në mes institucioneve për letrën e dërguar në KiE, ajo tha se “koordinimi në institucioneve është si rrallë herë në një nivel të jashtëzakonshëm”.
“Sa i përket koordinimit të jeni e sigurt mes që koordinimi është si rrallë herë në një nivel të jashtëzakonshëm të jeni të sigurt që edhe presidentja siç e keni parë ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve, sot kjo letër nuk është diçka e re është vetëm një përsëritje “ – tha Gërvalla-Schwarz më 16.05.2024.
Gërvalla- Schwarz më 16.05.2024 se i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.