Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Ngërçi i Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare 

Kosova është anëtarësuar në organizata kredibile financiare dhe të sportit, por ende nuk është pjesë e Bashkimit Europian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Këshillit të Europës dhe disa mekanizmave tjerë rajonal e ndërkombëtarë. Ngërçi në anëtarësime është shkaktuar nga parakushtet që i janë vënë Kosovës për përmbushje të detyrimeve të dala nga procesi i dialogut me Serbinë

Shtimi i numrit të njohjeve dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare mbeten dy prej objektivave kryesore të Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë më 2008 e këndej. Por, trendi i njohjeve dhe i anëtarësimeve ka filluar të bie dukshëm gjatë dekadës së fundit. Derisa njohja e fundit ka ardhur nga Izraeli në vitin 2021 me ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, edhe çështja e anëtarësimeve në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare ka ngecur në anën tjetër.

Pavarësisht se është anëtarësuar në disa organizata kredibile financiare dhe të sportit, pa përjashtuar as disa mekanizma e shoqata rajonale, Kosova megjithatë vazhdon të mbetet jashtë Bashkimit Europian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe disa organizatave të tjera.

Në fakt, viteve të fundit Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Këshillit e Europës, Bashkimit Europian, UNESCO-s, INTERPOL-it, dhe e disa organizatave të tjera, por pa rezultat pozitiv.

Së fundmi, shpresën e madhe për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës ia shoi kushtëzimi me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatë Kushtetuese. Autoritetet e Kosovës nuk e bënë këtë hap dhe si rrjedhojë çështja e anëtarësimit në këtë organizatë nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave në mbledhjen e 17 majit 2024.

Rrugën për anëtarësim nuk e hapi as letra që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ia dërgoi presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, vetëm një ditë para se të niste mbledhja e ministerialit. Në atë letër jepej zotimi që deri në fund të majit, Qeveria do ta dërgonte në Kushtetuese draftstatutin për Asociacionin, në një version të “inspiruar” nga drafti i ofruar nga Friedrich-Ebert-Stiftung. Meqë ky zotim nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave, atëherë edhe ministrja Gërvalla e shpalli letrën të parelevancë.

Asociacioni ka “zënë pritën”

Për ekspertin e Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, ndërlidhja e dialogut me Serbinë me pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare ishte një nga gabimet e mëdha të politikës së Bashkimit Europian për Ballkanin.

Institucionet paralele serbe apo çfarëdo tjerash në Kosovë, siç thotë eksperti gjerman, nuk janë në interes të Kosovës, as realisht të serbëve të Kosovës dhe aq më pak në interes të stabilitetit rajonal.

“Asnjë vend tjetër në Evropë nuk lejohet të mbajë institucione paralele në një vend tjetër të kontinentit – madje as midis shteteve mike. Por, Serbia nuk është shtet mik i Kosovës. Përkundrazi, Serbia mohon ekzistencën e fqinjit të saj dhe ka një agjendë revizioniste’- shprehet Clewing në një intervistë për KALLXO.com.

Sipas tij, është Serbia ajo që duhet të përmbahet nga revizionizmi, dhe nëse jo, atëherë të paktën duhet të bllokohet nga “suksesi në përpjekjet e tilla”.

Për të anashkaluar ngërçin, Clewing thotë se tani është me të vërtetë shumë e detyrueshme që qeveria e Kosovës të zhvillojë një koncept kuptimplotë për një asociacion, i cili duhet të lejojë akomodimin e mëtejshëm të pakicës serbe në shoqërinë kosovare pa paraqitur kërcënim për sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

“Nëse përballen me një strategji konsistente, partnerët perëndimorë me shpresë do të heqin dorë nga qasja e tyre aktuale paternaliste”- shton ai në kontekst të heqjes së Asociacionit si parakusht, duke shpresuar se qëndrimi i ngurtësuar i partnerëve të mos zgjasë përgjithmonë.

Edhe pse asnjëherë nuk iu vu emri “kusht”, themelimi i Asociacionit si hap për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës në zanafillë është një kusht, pasi që mospërmbushja e tij e la Kosovën jashtë agjendës. Ishin Franca dhe Gjermania ato që insistuan që dërgimi i draftstatutit në Kushtetuese të jetë “hap konkret” që Kosova të futet në Këshillin e Europës.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde ishte shprehur se dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese është hapi i vetëm për të siguruar shumicën e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.

“Kosova ka një shans unik për t’u anëtarësuar së shpejti. Dhe ajo që do të donim është që Kosova të marrë vendimin e duhur, kështu që unë do të preferoja të mos kisha një vendim tani, nëse Kosova nuk po bën hapin e pritur që presim prej tyre”- tha Rohde në një intervistë për Kallxo.com, më 9 maj 2024.

Edhe Ambasada e Francës mbajti qëndrim të ngjashëm duke thënë se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për të përmbushur këtë çështje dhe do të demonstronte më tej përkushtimin e Kosovës për të drejtat e pakicave.

Kryeministri Albin Kurti nuk u pajtua me qëndrimet e këtyre dy shteteve. Ai përkujtoi se Asociacioni si kusht është refuzuar tri herë edhe nga vetë instancat e Këshillit të Europës.

“Nëse me datë 26 tetor 2023 do të nënshkruhej në Bruksel vetëm atëherë do të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Si i tillë është një non-paper dhe jo një dokument” – tha shefi i ekzekutivit kosovar.

E, për qëndrimet e këtyre dy shteteve, eksperti Clewing thotë që nuk është kurrë e drejtë të vendosen parakushte për një aktor specifik që shkojnë përtej parakushteve të vendosura për të gjithë të tjerët.

“Pra- jo, ky veprim i Francës, Gjermanisë dhe të tjerëve sigurisht që nuk ishte i drejtë”- tha ai, duke shtuar se “as në rastet e mëparshme nuk ishte e drejtë kur u aplikua (më së shumti nga Franca, përsëri) p.sh. në lidhjen e çështjes së kufirit Kosovë-malazez me (mos) lirinë e lëvizjes dhe kërkesat për viza të qytetarëve kosovarë”.

Megjithatë, sipas tij, çdo përgjegjës i politikës së jashtme të një vendi të vogël dhe të cenueshëm siç është Kosova duhet të reflektojë se “fair play” nuk është tipar vendimtar i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Clewing thotë se për momentin, formimi i Asociacionit, si zotim i dhënë në vitin 2013, tashmë është bërë element kyç dhe ky mund të ishte mënjanuar nëse qeveria e mëparshme dhe ajo e tanishme e Kosovës do ta përmbushnin detyrën e tyre duke zhvilluar një koncept për një asociacion të tillë brenda kufijve të rendit kushtetues të Kosovës.

Sipas tij, strategjia e qeverisë ose thënë ndryshe përpjekja e qeverisë për ta injoruar këtë domosdoshmëri ka kontribuar shumë në ngërçin aktual dhe në rritjen e mosbesimit në besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës në mesin e partnerëve të saj kryesorë.

“Nuk është çudi që kohët e fundit durimi i tyre është mbaruar dhe se ata përpiqen të bëjnë presion mbi qeverinë që më në fund të veprojë”- thotë ai.

Tema e Asociacionit, aktualizohet qysh prej vitit 2013, atëherë kur vendi e ka arritur një marrëveshje me Serbinë. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia ngulmon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar disa herë kundër një asociacioni njëetnik.

“Perëndimi, i padrejtë ndaj Kosovës”

Vështirësi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare hasen për faktin se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, thotë Clewing.

Sipas tij, në Kombet e Bashkuara, vetoja e Rusisë dhe Kinës diktojnë një qëndrim të tërthortë të vetos së Serbisë për anëtarësimin e Kosovës.

Eksperti gjerman thotë se fatkeqësisht kjo gjendje nuk do të ndryshohet brenda një të ardhmeje të parashikueshme. Si zgjidhje, Clewing thotë se Kosova me urgjencë duhet ta kompensojë pjesërisht këtë disavantazh, duke iu bashkuar sa më shumë organizatave të tjera ndërkombëtare.

Fajet për dështimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare, ai ia atribuon statusit jo-anëtar brenda OKB-së, dhe mungesës së një strategjie të qëndrueshme afatgjate diplomatike dhe të politikës së jashtme të qeverive kosovare, nga ato të mëparshmet e deri më sot.

“Në të vërtetë, Kosova mund të bëjë shumë në këtë drejtim. Lobimi i vazhdueshëm dhe më e rëndësishmja, përpjekjet e vazhdueshme për të arritur dhe mbajtur një nivel të lartë profesional të politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës janë ndër parakushtet më të rëndësishme për më shumë sukses”- shprehet Clewing.

Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë e as Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Megjithatë, sipas Clewing, të paktën, qeveria aktuale ka bërë disa hapa të rëndësishëm duke aplikuar për statusin e kandidatit në NATO dhe BE. “Nëse nuk aplikoni, nuk do të hyni kurrë në klub”, thotë ai, duke shtuar se aplikimet janë vetëm një prej hapave të rëndësishëm që duhet të pasohen nga shumë veprime të tjera- deri në arritjen e synimeve.

Një situate të tillë, Clewing konsideron që i ka kontribuar fuqishëm edhe qasja perëndimore ndaj Kosovës. Sipas tij, që nga viti 1999 e këndej, Perëndimi kurrë nuk e ka trajtuar të vërtetën se asnjë institucion shtetëror paralel i Serbisë nuk duhet të lejohet të ekzistojë në Kosovë.

Këto fakte, sipas tij, nuk pranohen sa duhet nga partnerët perëndimorë të Kosovës. E, duke pasur parasysh faktin se procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës u mbështet fuqishëm nga politikat e NATO-s dhe BE-së, ai vlerëson që është edhe më kontradiktore që këto organizata ndërkombëtare nuk përpiqen ta mbrojnë plotësisht Kosovën kundër veprimeve të kërcënimit dhe ndërhyrjes serbe.

Duke marrë një shembull real, Clewing thotë se ishte një gabim i jashtëzakonshëm strategjik i BE-së të deklarohej si “neutral ndaj statusit” dhe të “lehtësonte” në mënyrë neutrale një dialog mes “dy antagonistëve ku njëri prej tyre, Serbia, po përpiqet të eliminojë tjetrin, Kosovën”.

A po i shkon kjo për shtati fushatës së Serbisë?

Para se Kosova ta kalojë hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024, autoritetet serbe kishin formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Europës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) ishte shprehur se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, që “është jashtëzakonisht e egër”.

Megjithatë, eksperti Clewing thotë se bllokimi aktual në lidhje me Këshillin e Europës është më tepër i lidhur me mospërputhjet në politikat ballkanike në kryeqytetet kryesore perëndimore dhe dështimet e politikave të Kosovës sesa me potencialet e Serbisë për të bërë fushatë.

Clewing thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë një strategji realiste se si të forcojë pozitën e dobët ndërkombëtare të vendit, pa llogaritur shumë vullnetin e mirë të të tjerëve.

Veprimet e fundit të Qeverisë, ai i quan jodiplomatike dhe nganjëherë të çrregullta, që sipas tij, kanë reduktuar vullnetin e mirë midis disa prej partnerëve të saj më të rëndësishëm.

Megjithatë, Clewing thotë se është e vërtetë që shumë ndërkombëtarë e mbivlerësojnë rëndësinë rajonale të Serbisë, dhe është gjithashtu e vërtetë se Serbia nuk pengohet në mënyrë aktive nga Perëndimi për të ndjekur politikat e saj anti-kosovare, përfshirë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, pak para 17 majit 2024, tha se shteti i tij “do të luftojë me argumente, fakte, ligj, moral dhe besim në vetvete”.

Vuçeviq, që aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes, tha për televizionin publik serb më 17 prill se votimi në Strasburg “ishte vazhdim i festivalit të hipokrizisë”. Ai shtoi se “nuk kishte shumë hapësirë për manovrim, por nuk ka tërheqje dhe nuk ka dorëzim”.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në këndvështrimin e tij, dialogu fillimisht do të kishte kuptim nëse Serbia në fakt do të ishte detyruar të njihte Kosovën ose de jure ose të paktën de fakto. Gjithashtu, ai shton se si rrjedhojë Serbisë nuk është dashur t’i jepet një rol bashkëvendimtar në ndonjë marrëveshje më të madhe të jashtme apo të brendshme të Kosovës.

Betejat e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare

Që më shumë se një dekadë Kosova po mundohet që të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, qoftë të atyre të të drejtave të njeriut, sigurisë, trashëgimisë kulturore.

Kosova ka vite që nuk ka arritur të bëhet pjesë e ndonjë organizate të madhe ndërkombëtare dhe këtu ka luajtur rol edhe lobimi kundër i Serbisë.

Konrad Clewing thotë se Këshilli i Europës dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), janë vërtet shembuj të organizatave ku Kosova duhet t’i përkasë menjëherë.

“Përderisa Kosova penalizohet nga vonesa për t’iu bashkuar atyre, të paktën INTERPOL-i dhe bashkëpunimi ndërkombëtar policor si të tillë dëmtohen njësoj nga ai mosangazhim i rrezikshëm”- thotë ai.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022. Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin. Pas plotësimit të kushtit që Qeveria ta dërgojë në Kushtetuese aktgjykimin për pronat e Manastirit të Deçanit, në  mbledhjen e mbajtur më 16 prill 2024, Kosova e kaloi hapin e dytë për anëtarësim, meqë nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Një nga dështimet e fundit ndodhi në vitin 2018, kur INTERPOL, e refuzoi pranimin e Kosovës për herë të tretë.

Tentativa e parë për të qenë pjesë e kësaj organizate kishte qenë në vitin 2010, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën. Edhe në vitin 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar për t’u anëtarësuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Ndërsa një vit më vonë, 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Edhe në vitin 2019, Kosova ka tërhequr kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, ani pse ajo ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv.

Një ndër synimet kryesore të Kosovës është që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ku beson që edhe e ka vendin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 15 dhjetor 2022, ia ka dorëzuar Çekisë – vendit që e kryesonte Presidencën e Bashkimit Europian atë vit, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Por, aplikimi për anëtarësim në BE është vetëm hapi i parë i një procesi që mund të zgjasë me vite.

Sipas Clewing, anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian dhe aq më tepër brenda Kombeve të Bashkuara është vetëm një perspektivë afatgjatë, e cila mund të materializohet vetëm pas shumë vitesh, nëse jo disa dekadash.

“Në mendjen time, anëtarësimi në NATO do të ishte një synim afatmesëm më real që mund të ndiqej”- tha ai, duke shtuar se në këndvështrimin e tij, do të ishte edhe anëtarësimi më urgjent për të arritur Kosova, për të siguruar shtetin dhe qytetarët e saj nga çdo përpjekje e mundshme e Serbisë për kthim prapa.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon.

Edhe pse trupat e NATO-s ndodhen në Kosovë që nga lufta e fundit 1998/1999, shteti më i ri në Europë ende nuk ka zënë vend aty.

Më 9 mars 2022, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Kryeministri  Kurti kishte thënë se objektivi kryesor i këtij grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

Më 24.03.2024, Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka vendosur ta ngre statusin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar në Asamble. Sipas Kuvendit, ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO.

Për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim pritet të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje.

Beteja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare ishte e egër edhe për t’u bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Më 9 nëntor të vitit 2015, për tri vota, Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e kësaj organizate. Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris, përderisa në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende.

Plani fillestar i Kosovës për të aplikuar me anë të Misionit të Kombeve të Bashkuara dështoi në vitin 2015 për shkak të reagimit të Serbisë, kur Beogradi i dërgoi një letër ish- Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, duke thënë se kërkesa e Prishtinës ishte e paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Kosova asokohe vendosi të aplikonte me anë të një ‘dere të pasme’ duke përdorur Shqipërinë për të paraqitur aplikimin e saj.

Me gjithë pengesat e shkaktuara nga fushata e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare e sportive. Disa nga ato janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA).