Haradinaj: AAK nuk e voton presidentin

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se partia e tij nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente.

Në ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjini, Haradinaj tha se as nuk do të bëjë kuorumin në sallë.

“AAK nuk e voton presidentin, nuk bën kuorum, nuk i bëjmë ndihmesë. Ne nuk do të jemi lehtësues të procesit të zgjedhjes së presidentit”, tha Haradinaj.

Sipas tij, në takimin me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin nuk është diskutuar për çështjen e presidentit, por vetëm për bashkëpunimin e mundshëm pozitë-opozitë.

“Kam qenë në takim me Kurtin dhe Osmanin. I kam pyetur ata se çka presin, çka është tema e takimit. Ata kanë thënë se presin bashkëpunim. Nuk më është kërku (vota) e as kuorumi e asgjë. I kam thënë se nuk e mendoj të drejtë koncetrimin e pushtetit te një parti. Nuk mendoj se është mirë edhe për ata. Si koncept koncetrimi i pushtetit, nuk është në rregull dhe nuk ka me e jap efektin”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk mundet askush me ia marr votën AAK-së, me kërcënimin se shkojmë në zgjedhje”, shtoi Ramush Haradinaj.