Hapja e ekspozitës 'Reporting House'

Ekspozita “Reporting House” do të lansohet sot më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë në ora 18:00.

Në konferencën për shtyp të kontribuuesve, realizatorëve e artistëve të kësaj ekspozite u tha se “Reporting House” është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës tha se kanë punuar për një vit për t’i mbledhur materialet që janë pjesë të ekspozitës e cila do të jetë e hapur për tre muaj.

Xharra tha se pjesë e ekspozitës do të jenë reportazhe e dokumentarë nga arkivat e mediave nga Anglia, Japonia, Spanja, Gjermania.

Reportazhet e medias britanike BBC-së, do të transmetohen në pesë ekrane të një hapësire të veçantë të ekspozitës, siç tha kuratori i ekspozitës, njëherësh drejtor i Galerisë “Paper” në Prishtinë, Gazmend Ejupi.

Drejtoresha Xharra përmendi se në ekspozitë do të shfaqet edhe një dokumentar nga gazetarja serbe Maria Ristiq, i cili ka të bëjë me zhdukjen e trupave të viktimave nga Kosova gjatë luftës në Kosovë.

David Loyn, korrespondent i BBC TV gjatë luftës në Kosovë, në këtë konferencë rrëfeu rëndësinë e raportimeve të korrespodentëve të huaj dhe të atij personalisht nga lufta në Kosovë.

Ai tha se raportimet e tilla kanë bërë që shtetet e mëdha të ‘lëvizin’ gjërat.

“E kemi ditur se raportimi ynë nga Kosova do të ndryshoj rrjedhën e zhvillimeve. Unë dhe Vaughan Smith udhëtonim me politikanë britanez që kishin qenë përfaqësues në Bosnje ai ka qenë me veturën e blinduar që e shihni jashtë, kjo e bëri bujën më të madhe me pamjet tona, madje kur e takoi Millosheviqin në Beograd, i tha i kam parë materialet”- u shpreh ai.

Kurse, Vaughan Smith, producent dhe kameraman i reportazheve të BBC-së dhe të televizioneve të tjera gjatë luftës në Kosovë u shpreh se ofrimi i një ekspozite të tillë është diçka mahnitëse.

“Të arrish t`i qasesh UÇK-së, sepse ka qenë e pa ekspozuar dhe për një të huaj të depërtosh deri atje ka qenë sfidë, por unë kam bërë edhe miq atje. Keni fat që Jeta i sfidon politikanët e vendimmarrësit. Të ofrosh diçka të tillë është mahnitëse”- u shpreh Smith.

Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë, njëherësh i mbijetuari i gjenocidit, në hapjen e ekspozitës “Reporting House” u shpreh “se nuk është vonë për këtë ekspozitë, por edhe nuk keni shumë kohë”, duke marrë si shembull rastin e Bosnje Hercegovinës.

“Ne i kemi intervistuar mbi 1 mijë persona. Nga gjithë ata që kemi intervistuar, 10 prej tyre kanë ndërruar jetë menjëherë pas intervistave dhe para dy jave një person që kishte dhënë dëshminë, e një pjesë e spikatur ishte kur tha se fëmijët e tij ishin duke ndenjur me fëmijët e vëllait të tij që kishte vdekur, ai kishte turp t`i përqafonte, i vinte keq. Ky ndërroi jetë”- tha ai.

“Dhe një zonjë ndërroi jetë. Mbajeni mend nuk jeni vonë, por nuk keni kohë. Filloni tash, ne kemi humbur 25 vite. Për ne një kohë të gjatë kanë qenë prioritet të zhdukurit, mbetjet e historisë. Historia jonë filloi nga varrezat. Ne e kishim të vështirë t`i gjenim varrezat. Duhet të veproni shpejt”- shtoi tutje ai.

Fletorja e fëmijëve të familjes Jashari që Donika Shahini– Lami e ka ruajtur dhe e ka sjellë në ekspozitë është gjëja më e shtrenjtë për të, pas fëmijëve të saj.

“Kjo fletore është gjëja më e shtrenjtë pas dy vajzave të mia. E kam dhuruar më kënaqësi për ekspozitën. Fletorja paraqet një histori. Ata fëmijë kanë pas ëndrra kanë qenë si të gjithë të tjerët”- tha Shahini- Lami, e cila ka punuar si gazetare dhe përkthyese gjatë luftës për Televizionin Publik Japonez NHK dhe revistën KOMBI.

Pjesë e kësaj konference ishin: Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës, Gazmend Ejupi, kurator i ekspozitës, David Loyn, korrespondent i BBC TV gjatë luftës në Kosovë, Vaughan Smith, producent dhe kameraman i reportazheve të BBC-së, Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë, Lana Çmajqanin, artiste nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Donika Shahini Lami, gazetare dhe përkthyese gjatë luftës për Televizionin Publik Japoney NHK dhe revistën KOMBI.

Ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television News. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to. Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Më 10 qershor në Prishtinë lansohet ekspozita ‘REPORTING HOUSE’

 

Ekspozita ‘Reporting House’, korrespentët e BBC-së tregojë përvojën e raportimit për luftën në Kosovë