Hamasi u thotë banorëve të Gazës që të mos largohen nga shtëpitë e tyre  

Hamas u ka thënë të premten palestinezëve që jetojnë në Gaza që të mos largohen nga shtëpitë e tyre, sipas një deklarate dërguar organizatave mediatike.

Grupi i armatosur, i cili qeverisë me territorin e Gazas, e akuzoi Izraelin për përfshirje në “luftë psikologjike” duke dërguar mesazhe që u thoshte civilëve palestinezë dhe punonjësve të organizatave ndërkombëtare që të evakuoheshin në jug.

“Okupatori po përpiqet të përhapë dhe qarkullojë propagandë të rreme përmes mjeteve të ndryshme, duke synuar të krijojë konfuzion në mesin e qytetarëve dhe ta minojë stabilitetin e frontit tonë të brendshëm” – thuhet në deklaratë, duke iu referuar Izraelit.

Punonjësit e “institucioneve ndërkombëtare” po qëndrojnë në postet e tyre dhe nuk po evakuohen, thuhet në deklaratë.

Izraeli po i vazhdon bombardimet e tij në Gaza në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit që vranë më shumë se 1,300 njerëz dhe ka grumbulluar më shumë se 300,000 rezervistë përgjatë kufirit të tij jugor – por nuk ka konfirmuar nëse po planifikon një operacion të intensifikuar ushtarak.

Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”. OKB-ja ka thënë se urdhri që 1.1 milionë njerëz të largohen nga Gaza veriore është “i pamundur” pa pasoja të mëdha humanitare.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë (UNRëA) ka thënë të premten se e ka zhvendosur qendrën e saj qendrore të operacioneve dhe stafin ndërkombëtar në Gaza në jug të enklavës së rrethuar./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala