Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Halimi: Të reflektojmë për krijimin e sigurisë për gazetarët

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka thënë se kjo ditë duhet të shërbejë si çast çast reflektimi për krijimin e sigurisë së gazetarëve.

Ajo përmes një postimi në Facebook tha se gazetarët dhe mediat çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme dhe kërcënime.

Sipas saj, këto sulme vijnë nga pushteti.

“Mediat e gazetarët në vendin tonë, fatkeqësisht çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme e kërcënime. Këtë fakt edhe më shqetësuese e bënë kur këto sulme vijnë nga pushteti”, është shprehur Halimi.

Në reagimin e saj, Halimi shtoi se organizatat ndërkombëtare si dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth lirisë së shtypit në Kosovë, duke potencuar se gazetarët po përballen me kërcënime e frikësim gjatë ushtrimit të punës së tyre.

Ndër të tjera ajo tha se në këtë ditë, të gjithë së bashku duhet të angazhohen fuqishëm në respektimin dhe vlerësimin e lirisë së shtypit, që sipas saj është një një nga shtyllat kryesore për një demokraci të mirëfilltë.

Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave, tregon Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.

Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.

Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me moton “Mediat nuk janë armiku!”