Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Përfaqësimi i Përhershëm i Holandës në BE  organizoi një panel diskutimi me temën “Ndikimi dhe Sfidat e Gazetarisë Hulumtuese në Ballkanin Perëndimor”. FOTO: NLatEU TV, screenshot.

Në Ditën Ndërkombëtarë të Lirisë së Shtypit, drejtues të mediave në Ballkanin Perëndimor rrëfejnë për impaktin dhe sfidat e punës së tyre

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Përfaqësimi i Përhershëm i Holandës në BE  organizoi një panel diskutimi me temën “Ndikimi dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese në Ballkanin Perëndimor”.

Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, Sashka Cvetkovska, kryeredaktore e Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese në Maqedoninë e Veriut dhe Leila Biçakçiq, drejtoreshë e Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Bosnjë dhe Hercegovinë, kanë treguar se si raportimi i këtyre mediave ka zbuluar korrupsionin dhe rrjetet e krimit të organizuar, si dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë  gazetarët në kryerjen e kësaj pune.

Sashka Cvetkovska ka treguar për një prej dokumentarëve më të suksesshëm që ka publikuar vitin e kaluar mediumi ku punon ajo.

Cvetkovska ka shpjeguar se ky dokumentar ka hedhur në pah keqpërdorimet që janë bërë nga një spital në Shkup gjatë kohës së pandemisë, ku si pasojë mbi 400 njerëz kanë vdekur.

“Historia jonë e fundit dhe ndoshta më me ndikim u publikua vitin e kaluar, në thelb ishte një dokumentar i hetuar në lidhje me pandeminë COVID-19. Ekipi ynë i gazetarëve hulumtues zbuloi se një spital rajonal me reputacion me bazë në Shkup po kryente trajtime eksperimentale dhe ilegale mbi pacientët dhe më shumë se katërqind njerëz vdiqën” – tha Cvetkovska.

Ajo theksoi se në mesin e  viktimave kishte njerëz nga i gjithë rajoni, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, e madje edhe nga vende të Evropës Perëndimore si Holanda dhe Belgjika.

“Meqenëse shumë trajtime private nuk ishin të disponueshme në vendet evropiane, njerëzit në dëshpërim po kërkonin më të mirën për veten e tyre dhe kjo klinikë kishte një reputacion mjaft të mirë, kështu që ne punuam 22 muaj për këtë histori para se të publikohej” – ka shpjeguar ajo.

Cvetkovska gjithashtu ka potencuar edhe impaktin që ka pasur ky hulumtim dhe ka përmendur se aktualisht mjeku dhe themeluesi i spitalit janë në gjyq dhe se janë sekuestruar një milion euro para të gatshme.

Në anën tjetër, drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, ka përmendur impaktin që ka sjellë kjo organizatë përmes hulumtimeve të kryera nga gazetarët dhe përmes punës që bën zyra ligjore e kësaj organizate, e cila pas hulumtimit që bëjnë gazetarët dërgon dosje dhe dokumente te organet e drejtësisë dhe institucionet e tjera kompetente.

“Dy dekadat e fundit për mua kanë qenë një kohë kur duhet të ndërtonim një metodologji dhe ne e kemi atë metodologji sot. Ne kemi një trekëndësh institucional që e ndërtojmë në organizatën tonë se si të bëjmë gazetari të angazhuar. Kur fillova punën time në BBC pashë se gjithçka që duhej të bënin ishte të raportonin, por kjo nuk mjafton në vende si Kosova” – ka thënë Xharra.

Ajo po ashtu ka përmendur edhe disa prej sukseseve kryesore që janë arritur gjatë vitit 2022 pas hulumtimeve që ka bërë BIRN-i në Kosovë. Sipas saj, pas raportimit të gazetarëve, institucioneve u dërgohen dokumente dhe dosje që vërtetojnë parregullsitë dhe shkeljet e ligjit.

“Kemi pasur më shumë se 10 zyrtarë të lartë publikë të arrestuar në pronat që janë sekuestruar në parkun kombëtar të Brezovicës, ku ndërtimet ilegale kanë ndodhur në dekadën e fundit, pesë anëtarë të grupit të organizuar u arrestuan për pastrim parash, që do të thotë se ky është një rast që ne e kemi ndërtuar me dokumente sepse na erdhën burimet, na erdhën denoncuesit, i kemi filmuar, pastaj i kemi furnizuar me të gjitha materialet gjyqtarët dhe zyrtarët e prokurorisë deri në atë pikë sa ata nuk kanë zgjidhje tjetër veç hapjes së çështjeve” – ka theksuar Xharra.

Po ashtu, në mesin e hulumtimeve të suksesshme të BIRN ajo ka përmendur hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit”, i cili është transmetuar në emisionin  ‘Jeta në Kosovë’.

Ky hulumtim zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës kanë përfituar nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Hulumtimi po ashtu ka sjellë emrat e kompanive të listuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të cilët kanë emër tjetër në Kosovë e të cilat janë regjistruar si kompani në pronësi të kompanive në Maltë.

Një tjetër hulumtim që theksoi Xharra ishte rasti kur BIRN raportoi se si gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Mirëpo, teksa në panel u fol edhe për sfidat,  Leila Biçakçiq, drejtoreshë e Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Bosnje dhe Hercegovinë, përmendi edhe kohën e gjatë që i duhet një hulumtimi që të sjellë rezultate.

“Shpesh është shumë e vështirë të drejtosh gishtin tek ndikimet sepse zakonisht raportimi investigativ kërkon shumë kohë. Impakti nuk është asnjëherë i menjëhershëm ose ndodh rrallë që të ketë një veprim vijues nga autoritetet pas publikimit të historisë” – ka thënë ajo.

Sipas Biçakçiqit, zakonisht duhen vite ose dekada ndonjëherë që të vërehet se ka qenë një hulumtim i mediave i cili ka sjellë rezultate të mëtutjeshme.

Mirëpo, Biçakçiq ka thënë se në ditët e sotme interesimi i njerëzve për t’u marrë me gazetari hulumtuese është më i madh.

“Mendoj se ndikimi më i madh nga të gjitha është se ne e kemi popullarizuar raportimin investigativ, kështu që ka më shumë njerëz të interesuar për të bërë raportim investigativ që ishte 15 ose 18 vjet më parë kur filluam”- ka thënë ajo.

3 maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Kjo ditë shënohet që nga viti 1993 e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit dhe po ashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të mediave për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale.