Krasniqi thirrje Qeverisë që të rrisë transparencën dhe llogaridhënien

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka thënë se demokracia e një vendi, shumë herë dhe më të drejtë, matet me nivelin e lirisë së shtypit që ekziston në atë vend.

Sipas tij, sot, e gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për rëndësinë që mediat kanë në jetën publike.

Tutje ai ka thënë se kjo ditë është një thirrje për Qeverinë që të hapet dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien.

“Fyerjet, kërcënimet, linçimet e shantazhet në drejtim të mediave dhe gazetarëve, ashtu siç, fatkeqësisht, kemi parë e dëgjuar disa herë gjatë kësaj qeverisjeje, nuk duhet të ndodhin kurrë e aq më pak nga ana e institucioneve e zyrtarëve publikë të shtetit”, u shpreh Krasniqi.

Krejt në fund Krasniqi shtoi se media e lirë dhe e pavarur duhet të mbetet ndër mekanizmat kryesorë për jetësimin e një demokracie funksionale dhe të shëndetshme.

Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave, tregon Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.

Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.

Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me moton “Mediat nuk janë armiku!”