Qeveria e Kosovës. Foto: Zyra e kryeministrit në Facebook

Raporti i Reporterët pa Kufij, Qeveria i gëzohet përparimit të lirisë së mediave në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit organizata Reporterët pa Kufij ka publikuar Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2022.

Në këtë raport Kosova është rënditur në vendin e 61-të.

Qeveria e Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se kjo është renditja më e lartë e Kosovës ndonjëherë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit dhe vjen si rezultat i përmirësimit për 17 vende.

“Qeveria jonë i gëzohet përparimit të lirisë së mediave dhe e konsideron sukses të përbashkët”, është thënë në këtë postim.

Tutje është thënë se Qeveria “do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim që mediave dhe punëtorëve medialë t’ju krijohet ambient sa më i sigurtë dhe i përshtatshëm, në mënyrë që ata të ushtrojnë të lirë dhe të papenguar profesionin e tyre”.

“Mediat e pavarura, të lira, objektive dhe profesionale janë aleatët tanë në përpjekjet për zhvillimin e shoqërisë së lirë e demokratike dhe ruajtjen e saj. Këtë vit, falë vullnetit të shumicës parlamentare në Kuvend, për herë të parë, punonjësit medialë janë përfshirë si kategori përfituese për ndihmë juridike falas”, thuhet tutje.

Në anën tjetër, në një konferencë për media Kryetari i Asocicacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha ka pasur disa kërkesa për politikanët e Kosovës.

Njëra nga këto kërkesa ka qenë që pushteti të respektojë mediat.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit në kërkojmë që politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë të sulmeve ndaj gazetarëve”, ka thënë Rexha.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog ka thënë se Mediat duhet të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes

“Për të ofruar raportim të besueshëm dhe të balancuar, mediat, si shtylla e katërt e demokracisë, duhet të jenë të lira, pluraliste dhe profesionale dhe duhet të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes”, tha Szunyog.

Raporti i Reporterët pa Kufij për lirinë e shtypit në Kosovë është përshëndetur edhe nga Presdientja e vendit, Vjosa Osmani.

Ajo tha se përparimi i Kosovës në këtë aspekt është shembull që tregon përkushtimin ndaj demokracisë.

Sa i përketë partive opozitare, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se demokracia e një vendi, shumë herë dhe më të drejtë, matet me nivelin e lirisë së shtypit që ekziston në atë vend.

Sipas tij, sot, e gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për rëndësinë që mediat kanë në jetën publike.

Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka thënë se kjo ditë duhet të shërbejë si çast çast reflektimi për krijimin e sigurisë së gazetarëve.

Ajo përmes një postimi në Facebook tha se gazetarët dhe mediat çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme dhe kërcënime.

Sipas saj, këto sulme vijnë nga pushteti.