Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë më 2 maj 2022. Foto: LSA/Raporter.al

Rama i konsideron 'gënjeshtra' gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij

Kryeministri shqiptar Edi Rama i hodhi poshtë si “gënjeshtra” raportin e organizatës ndërkombëtare Reporterë pa Kufi, duke pretenduar se në Shqipëri nuk ka pasur dhunë policore kundër gazetarëve dhe as padi për shpifje ndaj gazetarëve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama mendon se raporti i organizatës Reporterë pa kufi, e cila thotë se gazetarët përballen me sulme politike dhe dhunë policore “janë gënjeshtra” ndërsa e cilësoi raportin si “tallje me lirinë e shprehjes”. Në një seri statusesh në rrjetin social Tëitter, Rama thotë se në Shqipëri “nuk ka media të intimuduar dhe as gazetar të penguar në lirinë e tyre.”

“Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre!Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!” deklaroi Rama.

Në pushtet që nga viti 2013, Rama është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut për instalimin e një sistemi të centralizuar të kontrollit të informacionit ndërsa zyra e tij e shtypit prodhon “lajme” të cilat më pas transmetohen nga televizionet si “raportime të pavarura”.

Organizata Reporterë pa kufi është themeluar në vitin 1985 në Francë me synimin për të mbrojtur të lirinë e shprehjes dhe informimit. Të martën, ajo publikoi Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, në të cilin vendet e ndryshme të botës renditen në varësi të gjendjes së lirisë së medias. Një nga raportet më kritike të publikuara nga kjo organizatë mbi Shqipërinë deri më sot, ai thekson se “gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballem me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskretitojnë ata, ndërsa kanë telashe në aksesimin e informacionit publik, gjë që është rrezikuar nga kufizime të mëtejshme nga centralizimi i komunikimit të qeverisë të ndërmarrë kohët e fundit.”

Raporti vëren gjithashtu se siguria fizike e gazetarëve rrezikohet nga krimi i organizuar, dështimi i shtetit për t’i mbrojtur ata, e madje, edhe nga dhuna policore. Raporti dukshëm i referohet rasteve të dhjetorit 2020, kur protestat e të rinjve ndaj policisë, të shkaktuara nga vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një oficer policie, u shoqëruan me ndalimin dhe dhunimin e gazetarëve që po raportonin mbi përplasjet e dhunshme në rrugët e Tiranës. Ndërsa në korrik 2021, gazetarët që po raportonin mbi një operacion policor u dhunuan nga policia pasi kjo e fundit dështoi të ndalojë një trafikant të dyshuar droge. Në të dyja rastet, organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të lirisë së medias i kërkuan Ramës të dënojë rastet e dhunës ndërsa ky i fundit nuk reagoi.

Ndryshe nga Rama, Zyra e BE-së në Tiranë dhe Ambasada e Suedisë, kjo e fundit si përfaqësuese e vendit që kishte kryesinë e rradhës së OSBE-së në atë kohë, deklaruan qëndrimin e tyre të prerë për “zero tolerancë për frikësimin dhe kërcënimet kundër medias”.

Kjo nuk e ndaloi Ramën që të martën të konsiderojë këto ngjarje “gënjeshtra”.

“Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre!”, tha ai.

Foto: BIRN