Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Halimi e LDK: Derisa kryeministri ligjëron për liderin vetëflijues, 24 minatorë gjenden në emergjencë

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka folur për mosreagimin e Kryeministrit, Albin Kurti ndaj grevës së minatorëve të Trepçës.

“Derisa kryeministri ligjëron për lidershipin dhe liderin vetëflijues, 24 minatorë gjenden në emergjencë, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ky lider në realitet nuk po shfaqet në horizont?!” – ka shkruar Halimi në Facebook.

Me këtë fjali, Halimi i është referuar atyre që Kurti sot ka thënë për cilësitë fundamentale të liderit që e definojnë një lider të mirë dhe të madh.

Sipas Kurtit, liderët e mëdhenj janë aq të dedikuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato në mënyrën më të mirë, sa që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin e tyre personal.

Më tej, zëdhënësja e LDK-së ka thënë se këta minatorë që janë në ditën e pestë të grevës, janë të braktisur e të përbuzur nga institucionet shtetërore.

Kërkesat për mirëqenie e dinjitet, sipas Halimit gjithmonë dhe gjithkund janë të drejta.

Kryeministri Kurti u pyet dje nga gazetarja e KALLXO.com në konferencë për media se kur do të realizohet premtimi për investimet në Trepçë dhe për grevën e minatorëve, por ai zgjodhi të mos përgjigjet fare.

Që kur ka nis greva e minatorëve, disa nga grevistët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Minatorët në minierën e Stantërgut kanë hyrë në grevë duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 6–10 [në fillim të çdo muaji]; Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.