Hajrullahu: Shërbimi Sprovues është në finalizim të Strategjisë Zhvillimore

Sami Hajrullahu, zëvëndës i udhëheqësit të Divizionit për ekzekutimin e masave dhe dënimeve alternative për personat madhorë nga Shërbimi Sprovues ka thënë se  ky institucion është në finalizim të Strategjisë zhvillimore për shërbimin sprovues 2023-2028.

Këtë ai e ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u diskutua për ngecjet në rehabilitimin e të burgosurve.

“Shërbimi Sprovues është në finalizim të Strategjisë Zhvillimore për Shërbimin Sprovues 2023-2028. Aty dominon një objektiv strategjik sensibilizimi i punës së Shërbimit Sprovues” – ka thënë Hajrullahu.

Sipas tij, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial nuk është shumë në njohuri rreth dënimeve dhe masave alternative.

“Fatkeqësisht Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial nuk është shumë në njohuri rreth dënimeve dhe masave alternative, andaj kemi paraparë sensibilizim, avokim, ndërgjegjësim për shqiptim të masave dhe dënimeve alternative duke u takuar, duke organizuar tryeza të rrumbullakëta, seminare me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe organizata të shoqërisë civile”- ka thënë ai.