Shkaktarët e ngecjeve në risocializimin e të dënuarve

Mungesa e vizioni të prokurorëve e gjykatësve të cilët i kanë trajtuar rastet e personave të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak llogaritet të ketë krijuar një pasojë sistematike në procesin e risocializimit të tyre.

Në shumicën e rasteve prokurorët nuk u kujdesën që të kërkonin nga gjykata shqiptimin e dënimeve të cilat përpos burgut i obligojnë të rikthyerit ti ndjekin programet e risocializimit dhe ri integrimit.

Mbi 100 persona të arrestuar me akuzat për terrorizëm dhe pjesëmarrjet në luftërat e huaja u burgosën në Kosovë dhe zotimi i institucioneve ishte që të njëjtit do kalonin në programe rehabilititimi dhe risocializimi.

Një hulumtim i realizuar nga BIRN tregon se programi brenda burgjeve ka hasur në problem pasi të dënuarit nuk pranuan ti ndjekin programet.  Si rrjedhojë një pjesë e tyre u liruan nga burgu pa ndjekur asnjë program.

Të dhënat tregojnë që mbi 63% e të dënuarve refuzuan programet e risocializimit brenda burgjeve ndërsa gjykatësit kur shqiptuan dënimet nuk u kujdesën që të kushtëzonin lirimin e të burgosurve me ndjekjen e programeve të risocializimit. Sipas kodit penal gjykata mund të obligoj të dënuarit të ndjekin programe të caktuara përfshirë ato të edukimit dhe kjo bazë ligjore është përdorur vetëm në rastet e dënimit të grave të rikthyera të cilat mbajnë dënime të kushtëzuara për ti ndjekur programet.

Operacionet e arrestimeve për terrorizëm nisën në vitin 2014 dhe në atëkohë nuk ishte menduar se si do rridhte procesi I risocializimit.

Udhëheqësi i departamentit kundër terrorizmit në Prokurorinë Speciale, Afrik Shefkiu në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se të të rikthyerit nga Siria që janë dënuar nuk kanë parë hapësirë për të kërkuar edhe dënime plotësuese.

Ai përmendi se të gjitha gratë që janë rikthyer nga zonët e konfliktit kanë dënime plotësuese dhe detyrime për kontrolla mjekësore.

“Ne nuk kemi shku me dënime plotësuese por me dënime kryesore, sepse të gjitha janë dënuar me dënim me burg efektiv. Te të gjitha dënimet qe janë dhënë kemi bërë ankesë. Kemi pasur raste që janë rritur dënimet ose janë vendosur ato dënime që janë shqiptuar. Nëse ska propozim për dënim plotësues Gjykata nuk shkon. Me dënime plotësuese kemi shkuar vetëm me gratë e rikthyera”, tha Shefkiu.

Drejtuesi i Zyrës Ligjore në BIRN, Labinot Leposhtica thotë se institucionet nuk patën vision për të garantuar që sistemi  I risocializimit të funksionoj.

“Mungesa e vizioni të prokurorëve e gjykatësve të cilët i kanë trajtuar rastet e personave të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak llogaritet të ketë krijuar një pasojë sistematike në procesin e risocializimit të tyre. Të dhënat tregojnë që mbi 63% e të dënuarve refuzuan kurset brenda burgjeve ndërsa gjykatësit kur shqiptuan dënimet nuk  parapanë mundësinë që programet të jenë të kushtëzuara. Sipas Kodit Penal gjykata kur e shqipton dënimin mund të shqiptoj dënim plotësues”, thotë Leposhtica.

Dënimet plotësuese dhe alternative sipas Ligjit parasheh mundësinë e rehabilitimit të të dënuarve për vepra të ndryshme penale të cilët ata i kanë kryer.

Të dhënat tregojnë që shumica e rasteve të terrorizmit kanë përfunduar me dënime me burgim ndërsa në vetëm një pjesë e vogël janë shoqëruar me dënime alternative.

Shërbimi Sprovues i Kosovës, roli i të cilit është mbikëqyrja, rehabilitimi dhe ri- integrimi i të burgosurve apo të dënuarve brenda burgjeve e sheh sfidë në vete mungesën e dënimeve plotësuese.

“Mos përcaktimi i detyrimeve të veçanta në vendimet gjyqësore, Shërbimin Sprovues e sfidon më shumë në planin e re integrimit pasi që duhet të behën vlerësime të nevojave dhe rreziqeve dhe të përcaktohet dinamika e mbikëqyrjes duke bashkëpunuar ngushtë me akteret e ndryshime në komunitet. Sigurisht që detyrimet plotësuese e obligojnë të dënuarin për kryerjen e këtij detyrimi i cili do të ndikonte në risocializimin e tyre të plot në shoqëri”, thotë drejtuesi i Shërbimit Sprovues, Arsim Tahiri për KALLXO.com.

Ai shton tutje edhe se që nga fillimi i punës së Shërbimit Sprovues janë vetëm 28 raste të dënimeve me kusht dhe ato janë për gratë që janë rikthyer nga zonat e konfliktit.

Njohësi i shkencave për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe profesori Azem Hajdari, dënimin plotësues krahas dënimit kryesor e sheh jo vetëm të nevojshme por edhe të domosdoshme kur bëhet vlerësimi i rastit.

“Sigurisht se shqiptimi i këtyre dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale, kur kjo vlerësohet e përshtatshme, jo vetëm që është e nevojshme, por mbase edhe e domosdoshme, dhe kjo jo vetëm sa i përket mbrojtjes së interesit të përgjithshëm, por edhe në ndërlidhje me të dënuarit”, tregon Hajdari për KALLXO.com deri sa shton tutje se dënimet plotësuese sjellin deri te rehabilitimi i një personi të dënuar.

Hajdari e vlerëson gabim faktin se gjykatat në Kosovë nuk kanë shqiptuar dënime plotësuese ndaj kryerësve të veprave penale.

“Meqenëse qëllimi i dënimit plotësues, përveç disa përjashtimeve minore, përputhet plotësisht me qëllimin e dënimeve kryesore dhe dënimeve alternative, konsideroj se moszbatimi i tyre, në kuadër të rasteve konkrete mund të afektojë në realizimin e qëllimit të dënimit”, tregon tutje Hajdari për KALLXO.com.

Sipas tij dënimet me kusht nuk do të duhej të fokusoheshin vetëm te të dënuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizëm por edhe për lloje të tjera të veprave penale.