Forca e Sigurisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Kandidati për Komisioner të FSK-së pretendon se pati ndërhyrje antiligjore në proces

Në dy raunde votimi, Remzije Zeqiraj, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovë, ta mbajtur më 14.02.2024, arriti të siguroj 90 vota për t’u emëruar në pozitën e Komisioneres parlamentare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në garë, ajo ishte me Fadil Hadërgjonajn dhe Sami Hajrullahun.

Ky i fundit, në profilin e tij në Facebook, më 13.02.2024, hedhi dyshime se disa persona kanë ndikuar në proces.

Anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësi i tij Shemsi Syla, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali janë personat të cilët Hajrullahu po pretendon se kanë ndikuar në këtë proces.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim lidhur me këto pretendime nga Dugolli, Maqedonci, Syla e Mihaili, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marr ndonjë përgjigje.

“Fatkeqësisht ky proces është komprometuar nga ndërhyrjet, dallaveret, kurdisjet dhe ndërhyrjet antiligjore” – tha Hajrullahu.

Tutje ai shtoi se sipas Ligjit për Komisionerin Parlamentar për FSK-në definohet qartë se komisioneri është organ i pavarur i Kuvendit të Kosovës.

“Rekomandimet e Ministrit të Mbrojtjes, të Komandantit të FSK-së për kandidaten e tyre të preferuar dhe ndërhyrjet nga jashtë, janë shkelje flagrante të Ligjit për Komisionerin Parlamentar dhe synojnë kapjen e këtij institucioni prej tyre” – theksoi Hajrullahu në Facebook.

Ai tutje tha se në vendet e civilizuara ku sundon rendi dhe ligji, sipas tij të lartcekurit do të kishin dhënë menjëherë dorëheqje pas publikimit të këtyre kurdisjeve, dallavereve dhe shkeljeve flagrante të ligjit.

“Kërkimi i votave për kandidaten e tyre të preferuar nga të infiltruarit në LVV prej deputetëve të PDK-së dhe AAK-së është më shumë se hipokrizi politike pasi ishin të njëjtit që gjatë gjithë kohës e terrorizuan popullin duke thënë se ata (për të PDK-së) janë kriminelë dhe SHIK, ndërsa për ata të AAK-së se janë të korruptuar e u kanë fal territore Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut” – shkroi Hajrullahu.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 14.02.2024, për Zeqirajn votuan 90 deputetë.

Në raundin e parë 41 vota ishin për Zeqirajn, 39 për Fadil Hadërgjonajn dhe 10 për Sami Hajrullahun. Ndërsa në raundin e  dytë, Zeqiraj mori 49 vota, ndërsa Hadërgjonaj 43.

Në raundin e parë në votim morën pjesë 98 deputetë, me ç’rast 8 vota ishin të pavlefshme. Ndërsa në raundin e dytë, votuan 96 deputetë dhe 4 vota u shpallen të pavlefshme.

Nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kandidatët u vlerësuan me këto pikë; Sami Hajrullahu mori 89 pikë, Fadil Hadërgjonaj 88 pikë ndërsa Remzije Zeqiraj mori 85 pikë.

Hajrullahu, Zeqiraj dhe Hadërgjonaj ishin tre kandidatët që u selektuan për komisioner të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zgjedhja e Komisionerit parlamentar të FSK-së kishte dështuar herën e parë, në seancën parlamentare të 4 tetorit 2023.

Asokohe dy kandidatët Fadil Hadërgjonaj e Fetah Zejnullahu nuk arritën të marrin votat e deputetëve, në të dy raundet e votimit.

Në rundin e parë, Hadërgjonaj kishte marr 27 vota, ndërsa Zejnullahu 11 vota, kurse 41 vota ishin të pavlefshme.

Në rundin e dytë 37 vota ishin të pavlefshme, ku Hadërgjonaj mori 24 vota ndërsa Zejnullahu 6 vota.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kishte thënë që votat që kanë marrë dy kandidatët janë të pavlefshme andaj konkursi duhet të përsëritet brenda 60 ditëve.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni pati kritikuar ashpër deputetët pas dështimit të zgjedhjes së komisionerit.

Jeni vetë të pavlefshëm” – u kishte thënë Quni kolegëve të tij.

Komisionari, bazuar në ligj, ndër tjera e ka autoritetin që të trajtoj ankesa dhe të kërkojë informata dhe qasje në të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kushdo që zgjidhet në këtë pozitë ka të drejtën të “kërkoj informata dhe qasje në institucione tjera në lidhje me pjesëtarin e FSK-së; të thërras në dëgjim, apo të intervistoi ankuesin, dëshmitarët, apo palët tjera të përfshirë në proces të ankesës; të kërkoj mbështetje me ekspertizë nga ekspertët; të procedojë tek organet përgjegjëse dosjen e një çështjeje penale apo disiplinore në rastet e dyshimta për shkelje legjislacionit në fuqi; si dhe t’i vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe njësitet e FSK-së, në çdo kohë, me dhe pa paralajmërim”.

Sipas ligjit, Komisionari zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën e nevojshme në votimin e parë, organizohet votimi i dytë, në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin me të madh të votave në votimin e parë. Nëse në votimin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet, Kuvendi në afat prej 60 ditësh, duhet të shpallë sërish konkursin për Komisionar.

Remzije Zeqiraj zgjidhet Komisionere parlamentare e FSK-së