Foto: Ilustrim

Grupi për Barazi Gjinore bën thirrje për parandalim të dhunës në familje në kohë pandemie

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGj) ka bërë thirrje për parandalimin e dhunës në familje në kohë të pandemisë së coronavirusit.

Sipas GSBGj, dhuna në familje ka tendencë të rritet gjatë krizave, dhe një gjë e tillë po vërehet në gjithë botën gjatë kësaj pandemie.

“Në këtë kohë të pandemisë globale COVID-19, shtëpia supozohet të jetë vendi më i sigurt për të gjithë. Sidoqoftë, për njerëzit që përjetojnë dhunë në baza gjinore përfshirë dhunën në familje, distancimi shoqëror mund të nënkuptojë të jesh i bllokuar brenda me një abuzues. Dhuna në familje është tashmë epidemi vdekjeprurëse, ku një në tre gra në të gjithë botën përjetojnë dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga një partner intim”, thuhet në komunikatën e Grupit.

Sipas tyre, në Kinë, ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje pasi miliona njerëz kanë qenë të izoluar në karantinim dhe që tendenca të ngjashme janë shfaqur edhe në ShBA. ku rastet në disa shtete janë dyfishuar pasi u morën masat e izolimit.

“Prirje të tilla priten edhe në Kosovë. Përderisa distancimi shoqëror dhe izolimi përdoren si strategji për të parandaluar përhapjen e virusit, këto strategji mund të manipulohen për të izoluar viktimat nga familjet e tyre dhe rrjetet sociale, si pjesë e dhunës emocionale dhe psikologjike, si dhe sjelljes kontrolluese. Këto strategji mund të rezultojnë në rritje të dhunës në familje, e cila prek kryesisht gratë”, thuhet në komunikatë.

GSBGj ka inkurajuar të gjithë ata që dëgjojnë ose dyshojnë për raste të dhunës në familje të raportojnë ato menjëherë në polici në numrin 192.

Për më tepër, GSBGj inkurajon personat të cilët kërkojnë ndihmë ose këshillim në lidhje me dhunën në familje që të telefonojnë në linjën telefonike të Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112. Numri është falas dhe punon 24/7, si dhe është konfidencial dhe anonim.

“Mes krizës aktuale, siguria dhe qasja në shërbimet e drejtësisë mund të ndërprehen. GSBGj u bën thirrje akterëve përkatës që të u japin përparësi shërbimeve për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje në mes të pandemisë COVID-19, duke siguruar mbrojtje në kohë për ata që kanë më së shumti nevojë dhe rrezikohen nga dhuna”, thuhet në njoftim.

“Punëtorët shëndetësorë duhet të kenë përgjigje të ndjeshme gjinore ndaj rasteve të dhunës në baza gjinore të cilët mund të shoqërohen ose përkeqësohen nga pandemia. Ata të cilët ofrojnë përgjigjen e parë duhet të dinë se kujt i duhet kujdes i shtuar, ose kë duhet sjellur në qendra trajtimi. Për më tepër, autoritetet përkatëse duhet të bashkëpunojnë për të siguruar testimin e duhur të personave që kërkojnë strehim, dhe për të mbrojtur shëndetin e grave dhe fëmijëve tashmë të strehuar”, thuhet në njoftimin e GSBGj.

Kujtojmë se deri më tani 61 raste me coronavirus janë konfirmuar në Kosovë.