Gruda i PDK-së e sheh si veprim të gabuar të Hisen Berishës takimin me Martin Berishajn

Për takimin e deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka folur sot Përparim Gruda, anëtari i Kryesisë së PDK-së.

Personalisht, ai e ka cilësuar si veprim të gabuar të deputetit Berisha, teksa ka thënë se për qëndrimin e PDK-së lidhur me këtë takim duhet pyetur udhëheqja e partisë.

“Unë mendoj që kjo pyetje duhet t’i drejtohet kryetarit ose dikujt nga struktura kryesore udhëheqëse e PDK-së. Nuk mund të flas në emër të PDK-së, por personalisht mund të them që është një gjë e gabuar që e ka bërë deputeti” – tha Gruda.

Ambasadori Berishaj dyshohet për tri vepra të ndryshme penale, të cilat janë “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Deputeti Berisha është takuar me ambasadorin para disa ditëve në Zagreb, ku deputeti ka qenë i ftuar nga Fakulteti i Studimeve Kroate i Universitetit të Zagrebit, në simpoziumin shkencor ndërkombëtar me titull “Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen evropiane – Krimet komuniste”.

Aty Berisha tha se takoi edhe ambasadorin Berishaj, i cili sipas tij, kishte organizuar “një pritje përtej protokollit diplomatik bashkë me stafin e Ambasadës, Atasheun Shpend Zogaj”.

“Një pritje vëllazërore dhe bashkëbisedim nga aty ku ka mbetur, për të mirën e kombit, shtetit dhe historisë. Natyrisht, për punën e mirë në shërbim të vendit dhe avancimin e statusit të shqiptarëve në këtë shtet aleat. Pesha intelektuale dhe akademike e diplomatit e ngrit edhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit. E në këtë korelacion, autoritetin dhe nderin i ke në nivelin më të lartë të vlerësimit” – u shpreh deputeti i PDK-së.

Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, “PlanetTV”, kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berisha ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.

Vitet e kaluara shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD-së nuk pati lëkundje besimi në të, përkundrazi lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë.

“Ambasadori nuk mund të tërhiqet apo shkarkohet pa pasur ndonjë të vërtetë. Përkundrazi disa media atje janë duke e përgënjeshtruar atë medium. Ambasadori Berishaj e gëzon besimin tonë dhe do të përfaqësojë atje” – pati deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla më 13.05.2022.

Pas akuzave për aferë, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së tij.

Berishaj kishte raportuar në AKK se ka pasuri të paluajtshme prej 382 mijë euro, përfshirë këtu dy banesa, një shtëpi dhe një tokë.

Ai ka deklaruar se ka dy banesa në vlerë 230 mijë euro.

Ambasadori ka deklaruar se banesën e parë me sipërfaqe 92 m2 e ka blerë në vitin 2001 me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare dhe atë e ka në pronësi të përbashkët.

Sipas raportit të AKK-së, banesën e dytë me të njëjtën sipërfaqe, Berishaj e ka blerë në 2006 me kursime për vetëm 50 mijë euro.

Berishaj gjithashtu ka një shtëpi, të cilën e ka deklaruar si trashëgimi nga prindërit e cila ka vlerën 72 mijë euro. Sipërfaqja e kësaj shtëpie, të cilën e ka në pronësi të përbashkët, është 170 m2.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të dhënat mbi shpenzimet që janë bërë gjatë vitit 2023 për këtë diplomat.

Sipas raporteve të MPJD-së, vitin e kaluar Berishajt i është paguar qiraja vjetore e banesës në Zagreb në shumën prej 24 mijë euro, ose 2 mijë euro për muaj.

Bazuar në hulumtimin në internet, përfshirë atë në ueb-faqen që merret me udhëtimet dhe jetesën në Kroaci, “Inspired by Croatia”, marrja me qira e një apartamenti në qendër të Zagrebit zakonisht kushton 600 euro në muaj për një apartament me një dhomë gjumi në një ndërtesë të vjetër pa ashensor.

Por, sipas së njëjtës faqe, apartamentet më të mëdha dhe më të bukura në Zagreb kushtojnë diku midis 800 dhe 1200 euro në muaj. Paga mujore e Berishajt për vitin 2023 ishte 2 mijë e 746 euro e 71 centë.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Byroja Kroate e Statistikave, paga mesatare në Kroaci që nga shtatori 2023 është 1,141 euro në muaj.

Për shpenzimet e sigurimit shëndetësor, shteti i Kosovës ka paguar 4 mijë e 803 euro në vitin 2023.

Ndërkaq për telefoni mobile janë paguar 1 mijë e 318 euro e 4 centë.

Bazuar në të dhënat nga MPJD, drekat zyrtare të ambasadorit dhe stafit diplomatik përgjatë vitit 2023 kanë kushtuar 5 mijë e 214 euro e 55 centë. Kurse për derivate të misionit janë paguar 5 mijë e 254 euro 48 centë.

Tomë Gashi e Martin Berishaj publikojnë fotografi pas intervistimit të ambasadorit në Prokurorinë Speciale