PDK paralajmëron dërgimin e dy ligjeve në Kushtetuese nëse ato miratohen në Kuvend
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka paralajmëruar se do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë për Këshillin Prokurorial, nëse miratohen në Kuvend, me plotësim-ndryshimet që janë bërë në to.
Sipas Grudës, nisma për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit që Kosova e ka me BE-në.
“Me këtë ligj shkelet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit për Kosovën, sepse neni 120 i saj kërkon bashkëpunim me Bashkimin Europian në fushën e reformave në administratën publike. Vlen të theksohet që edhe Zyra e BE-së në Kosovë e ka kundërshtuar këtë ligj. Neni 19 i Kushtetutës përcakton qartë se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, Ligji për Zyrtarë Publikë nuk mund të jetë në kundërshtim me MSA-në sepse kështu ai është në kundërshtim edhe me Kushtetutën” – theksoi Gruda.
Pos kësaj, sipas tij, shumë nga vërejtjet e gjykatës lidhur me këtë ligj nuk janë adresuar ndonëse Qeveria ka qenë e obliguar ta bëjë këtë, për sa kohë që kanë munguar edhe konsultimet publike.
“Ushtruesit e detyrës kanë një mandat prej 12 muajsh me mundësinë e vazhdimit edhe për 12 muaj të tjerë. Neni 17, paragrafi 3 thotë: ‘ Nëpunësit civilë të emëruar në pozita të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese para hyrjes në fuqi të ligjit bazik konsiderohen se fillojnë mandatin e parë me hyrjen në fuqi të këtij ligji’. Kjo është në tërësi në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Neni 11, paragrafi 5, përcakton: ‘Nëse brenda afatit prej nëntë (9) muajsh nëpunësi civil nuk sistemohet apo refuzon sistemimin në ndonjë pozitë të lirë të shërbimit civil, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil’. Ky është një mekanizëm për shantazh dhe largim nga puna i nënpunësve publikë” – ka theksuar Gruda.
Ai tha se edhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial është jokushtetues.
Sipas tij, kjo po bëhet me tendencë për ndikim politik mbi organin e akuzës, sepse “përbërja e tij është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.