Grabitja në Suharekë, Policia e Prokuroria me detaje për aksionin e sotëm

Policia dhe Prokuroria e Kosovës përmes një komunikate të përbashkët për media ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm për grabitjen e armatosur të ndodhur me datën 22 nëntor 2023 në Suharekë.

Policia ka konfirmuar plagosjen e një polici e po ashtu neutralizimin [vrasjen] e njërit të dyshuar.

Po ashtu në njoftim është thënë se numri i personave që deri më tani kanë rënë në pranga të Policisë së Kosovës është shtatë.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor” – ka thën ë PK.

Sipas PK-së, më datë 22 nëntor të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.

Si rezultat i hetimeve të pandërprera u tha se fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor.

Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë u njoftua se është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

Tutje u tha se zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu PK ka thënë se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje e të tjera.