Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Goditja e policit me veturë dhe ikja nga vendi i ngjarjes në Suhodoll, Policia gjeti rreth 2 kg marihuanë në veturën e të dyshuarit

Një person po dyshohet se goditi me veturë një zyrtar policor dhe veturën e policisë në orët e pasdites në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut. E për të zmbrapsur sulmin, sipas të dhënave të prokurorisë, zyrtarët policorë kanë shtënë mbi pesë herë me armë zjarri zyrtare ndaj veturës së të dyshuar.

Sipas Policisë së Kosovës, fillimisht i dyshuari nuk respektoi urdhrin për ndalim e më pas goditi me veturë një polic dhe një veturë të policisë.

Nga goditja me veturë është lënduar një polic ndërsa nga të shtënat me armë sipas policisë, nuk ka mbetur asnjë i lënduar.

Vetëm pak kilometra nga vendi i ngjarjes është gjetur edhe vetura e të dyshuarit, në të cilën sipas informacione ka gjurmë të plumbave. I dyshuari thuhet se e ka lënë veturën dhe është larguar në këmbë.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se në veturë është gjetur lëndë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë (1,5 deri në 2 kg).

“Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kanë dalë në vendin e ngjarjes. Policia janë duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndërmirrenn veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar” – përfundon njoftimi.

Me të pranuar informacionin për gjuajtjen me armë, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar trajtimin e rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK tha se tashmë kanë pranuar informacionet dhe do të verifikojnë të dhënat që kanë pranuar në lidhje me këtë rast dhe varësisht nga rezultatet do të ndërmerren edhe veprimet e mëtutjeshme në bazë të ligjit. 

Foto: Policia e Kosovës