Glauk Konjufca merr raportin evropian për zgjedhjet e 6 tetorit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar anëtaren e Parlamentit Evropian, njëherësh kryesuese e Misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Viola Von Cramon-Taubadel.
Sipas një komunikate të Kuvendit, Konjufca dhe europarlamentarja Cramon-Taubadel diskutuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe ecurinë e tyre.
Kryeparlamentari thuhet se ka theksuar që organizimi i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës tashmë ka arritur një nivel të kënaqshëm, “dëshmia më e mirë të cilit është vet pranimi i rezultatit zgjedhor nga të gjitha subjektet politike garuese”.
Kurse, kryesuesja e këtij misionit vëzhgues të BE-së, citohet të ketë thënë se zgjedhjet, duke marrë parasysh afatin e shkurtër kohor për t’u përgatitur, kanë qenë demokratike, të organizuara dhe të përgatitura shumë mirë.
Problem serioz të këtyre zgjedhjeve, Von Cramon-Taubadel potencoi mungesën e transparencës për financimin e fushatës.
Ajo ka shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punë shumë të mirë, duke përgatitur në kohë materialet, “gjë që duhet theksuar për shkak të kompleksitetit të procesit”.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit 2019, ende nuk është formuar qeveria e re e vendit.
Nga këto zgjedhje, fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, për tu renditur më pas, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, si dhe partitë tjera.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 26 dhjetor të 2019-s, kryetar i së cilit u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.