
Gjykimi për mashtrim në prokurim publik, dëshmitari jep rrëfimin e tij para Gjykatës
Në gjykimin ndaj Liman Buzokut, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim në Komunën e Drenasit, në seancën e së hënës (07.04.2025) në Gjykatën e Prishtinës është dëgjuar dëshmitari Mensur Gllareva.
Liman Buzoku po akuzohet se me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik.
Dëshmitari Mensur Gllareva tha se në vitin 2021 kishte qenë ushtrues detyre në zyrën e prokurimit në Drenas.
Lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”, dëshmitari Gllareva dha detaje lidhur me këtë rast.
“Aktiviteti i prokurimit nga Drejtoria e Shëndetësisë ka ardhur kërkesa për fillimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Ne si zyre e prokurimit e kemi shpallur njoftimin për kontratë dhe njoftimi ka qenë publik për të gjithë operatorët ekonomik të interesuar”- tha dëshmitari Gllareva.
Dëshmitari Gllareva tha se pas hapjes së tenderit iu kishte ardhur një njoftim se në aktivitetin e prokurimit, ekziston dyshimi se dy referenca të operatorit “MATKOS PHARM”, janë të dyshimta.
“Pas hapjes së tenderit na ka ardhur njoftimi i OJQ-së e cila ishte duke e monitoruar këtë aktivitet të prokurimit dhe na ka sugjeruar se ekziston dyshimi se dy referenca janë të dyshimta, të operatorit ‘MATKOS PHARM’, me pronarë Liman Buzoku”- tha dëshmitari Gllareva.
Pas kësaj, dëshmitari Gllareva tha se sipas ligjit kanë ndërmarrë veprime dhe operatorin “MATKOS PHARM”, e kanë përjashtuar nga aktiviteti i prokurimit.
Tutje, dëshmitari tha se referencat të njëjtit nuk i kanë shikuar, ngase ka qenë duke u zhvilluar hetim nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike.
“Referencat ne nuk kemi qenë duke shikuar ngase ka qenë duke u zhvilluar hetim nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike, mirëpo ne operatorin ekonomik kur jemi informuar se dy referencat nuk janë në rregull e kemi përjashtuar nga aktiviteti i prokurimit, pastaj e kemi njoftuar edhe OSHP-në”- shtoi tutje dëshmitari Gllareva.
Nëse në një aktivitet të prokurimit në komunën e Drenasit paraqitet një referencë ose dy si e dyshimtë, cilat janë veprimet e juaja që duhet me i ndërmarrë?- ishte pyetja e prokurorit Bashkim Zeqaj drejtuar dëshmitarit.
“Veprimet janë, ne i shohim i njoftojmë organet kompetente, policinë dhe e njoftojmë OSHP-në si organ mbikëqyrës i prokurimit”- u përgjigj dëshmitari Gllareva.
Dëshmitari tha se pa e shikuar dosjen nuk e din se kush ka aplikuar për tender për kompaninë “MATKOS PHARM”.
Lidhur aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”, dëshmitari tha se një operator tjetër është shpallur fitues.
“Ky tender është shpallë, një operator tjetër fitues që nuk më kujtohet”- tha dëshmitari Gllareva.
Dëshmitari Gllareva tha se procedura e aplikimit për këtë tender ka qenë procedurë e hapur.
“Procedura në bazë të rregullave të prokurimit ka qenë procedurë e hapur, ka qenë në mënyrë elektronike, thirret e hapur pasi që të gjithë operatorët ekonomik e kanë të drejtën të aplikojnë”-tha dëshmitari Gllareva.
Dëshmitari Gllareva në pyetjet e avokatit Besnik Berisha që mbron të akuzuarin Liman Buzoku, e pohoi se kompania “MATKOS PAHRM”, dhe komuna e Drenasit në të kaluarën kanë pasur marrëdhënie kontraktuale.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër, mirëpo për të njëjtin gjyqtari Gëzim Ademi njoftoi se është ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa mungesën e tij dëshmitari nuk e ka arsyetuar.
Seanca e sotme (07.04.2025 ) u ndërpre, dhe e radhës për këtë çështje penale u caktua për në muajin Qershor 2025.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Gëzim Ademi- kryetar, anëtarët Alltëne Murseli dhe Gazmend Bahtiri.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës të datës 30.12.2021, i pandehuri Liman Buzoku akuzohet se më 05.05.2021, në ora 14:00, në Komunën e Drenasit me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e drejtorit të kompanisë “MATKOS PHARM” kishte ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”.
“Referenca nga “Shemo”, e datës 15.11.2020, të cilët kanë rezultuar që janë të falsifikuar, ku kjo kompani është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 68,938,50 euro, mirëpo gjatë kohës në pritje të kalimit të afatit të ankesave, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka njoftuar Komunën e Drenasit se lidhur me këtë aktivitet të prokurimit operatori ekonomik “MATKOS PHARM”, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar, ku pas verifikimit të tyre rezulton se janë falsifikuar, ku më pas është bërë edhe anulimi i tenderit” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.