Marshi në Lëvizjen Vetëvendosje, Foto: KALLXO.com

VV i kundërpërgjigjet PDK-së për ‘Syrin e Popullit’

Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me akuzat që kjo e fundit i ka bërë, duke thënë se  VV-ja e ka krijuar dhe e ka frymëzuar organizatën “Syri i Popullit”, pjesëtarë të së cilës u dënuan sot nga Gjykata e Prishtinës.

Zyra për Media e VV-së në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se PDK duhet të distancohet nga deklaratat e rreme në betim të kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi të cilët kishin deklaruar në Gjykatë se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”, për të cilat deklarata është bërë edhe kallëzim penal.

“Para se të formulojnë komunikata shpifëse dhe tendencioze PDK duhet të jep përgjegjësi për deklaratat e zyrtarëve të saj të cilat ishin përpjekje e dështuar për ta akuzuar Lëvizjen si organizatë terroriste”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

PDK sot përmes një komunikate ka deklaruar se dënimi i organizatës “Syri i Popullit të cilën e quajnë “terroriste”, është një lajm i mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë.

Mes tjerash, PDK-ja e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka krijuar dhe frymëzuar këtë organizatë.

“Partia Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët  politikë. PDK kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”, thuhet në reagim.

KALLXO.com sot ka raportuar për dënimet ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit.

Hashim Thaçi: Pas organizatës që plagosi Azem Vllasin qëndron Albin Kurti e Glauk Konjufca

.