Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Gjykata Komerciale merr vendimet e para

Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur rreth 60 lëndë në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë.

“Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale kanë marr vendime në 30 çështje, po ashtu edhe Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate, kanë vendosur në 30 lëndë, që kanë të bëjnë kryesisht me çështje përmbarimore të natyrës urgjente”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kjo gjykatë.

Seanca e parë e Gjykatës Komerciale do të mbahet më 9 shtator 2022. Po ashtu, në njoftim thuhet se të gjitha seancat janë publike përveç rasteve që me ligj përcaktohet ndryshe.

Gjykata Komerciale do të trajtojë çështje të natyrës tregtare, ekonomike e fiskale si dhe ka në përbërje dy dhoma, atë të shkallës së parë dhe të dytë.

Deri më tani, Gjykata Komerciale pranuar mbi 6 mijë e 700 lëndë në shkallën e parë nga gjykatat themelore ndërsa mbi 1 mijë e 300 lëndë në dhomën e shkallës së dytë nga Gjykata e Apelit.

Ndonëse sipas projektligjit për këtë gjykatë parashihet të ketë 20 gjyqtarë, aktualisht janë 11 gjyqtarë.