Foto: Gjykata Komerciale e Kosovës

Gjykata Komerciale e Kosovës shpërblehet me çmimin “Gjykata më transparente”

Gjykatës Komerciale të Kosovës i është ndarë çmimi “Gjykata më transparente”, në një ngjarje të organizuar më 01.07.2024 nga Lëvizja FOL me mbështetjen e Departamentit amerikan të Shtetit, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Në tryezën “Rritja e Transparencës së Gjyqësorit përmes publikimit të vendimeve gjyqësore për vitin 2023” janë prezantuar gjetjet nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës dhe si rezultat Gjykata Komerciale e Kosovës u shpërblye me çmimin “Gjykata më transparente”, në vlerësim të publikimit të mbi 4,400 aktgjykimeve gjatë vitit 2023.

Raporti mbi monitorimin e publikimit të aktgjykimeve (janar – dhjetor 2023), përmban të dhënat nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen zyrtare të KGJK-së gjatë kësaj periudhe njëvjeçare.

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig, tha se ndihet shumë e lumtur me këto gjetje dhe progresin e bërë nga gjykatat e Kosovës, me ç’rast ka inkurajuar vazhdimin e publikimit të aktgjykimeve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se publikimi i aktgjykimeve jo vetëm që rrit transparencën por gjithashtu promovon llogaridhënien dhe besimin në sistemin gjyqësor.

Kryesuesi Zogaj tha se fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës është dëshmi e përkushtimit të gjyqësorit për të siguruar qasje të plotë për publikun.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se ky çmim është vlerësim i përpjekjeve të stafit të kësaj Gjykate me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qasjes në vendimet gjyqësore, përkundër vështirësive dhe sfidave si gjykatë e re.

Gjatë vitit 2023, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre kanë publikuar mbi 40,000 aktgjykime, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2022.
Gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara janë: Gjykata Komerciale, Gjykata Supreme dhe Gjykata Themelore e Gjakovës.