Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës shton punën pas vendimit të KGjK-së

Ndonëse gjykata vazhdon të punojë me kapacitet të reduktuar, gjyqtarët  e Gjykatës Themelore në Prishtinë,përveç rasteve të natyrës urgjente po trajtojnë edhe raste në të cilat nuk është e nevojshme prezenca e palëve.

Por gjykata njofton se aktiviteti i saj është i lidhur drejtpërdrejt me vendimet e KGJK-së.

“Ju informojmë se Këshilli Gjyqësorë i Kosovës me datë 08 maj 2020  ka marr vendim që të shtohen aktivitetet  e gjykatave, ashtu që Gjykata Themelore në Prishtinë përveç rasteve urgjente është duke trajtuar edhe rastet tjera ku nuk është e nevojshme prania e palëve dhe publikut në procedurë. Aktivitetet e Gjykatës Themelore në Prishtinë varen drejtpërdrejtë nga vendimet që do ti ndërmerr KGJK përkitazi me situatën pandemike. Gjykata është duke punuar me kapacitete të reduktuara deri në vendimin e radhës të KGJK-së”.

Ndërsa kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj  për KALLXO.com ka thënë se seancat publike nuk do të fillojnë para 1 qershorit.

Kosova ka filluar zbatimin e fazës së dytë lehtësuese të masave izoluese lidhur me pandeminë e coronavirusit.  Deri tani në Kosovë janë 1003 persona të infektuar, 772 të shëruar ndërsa 29 të vdekur.