Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Gjinovci: Kryeministri nuk e di pse nuk kemi rrymë, sepse atij iu ka ndezë agregati automatikisht

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Rron Gjinovci, aktivist, ka debatuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë dhe mungesën e rrymës për orë të tëra edhe në qendër të Prishtinës.

Gjinovci i është kundërpërgjigjur Viktor Buzhalës nga KEDS-i duke thënë se kryeministri i Kosovës duhet të ketë takim dhe të kërkojë që të ketë energji të vazhdueshme.

“Në vend se kryeministri me ardhë në takim me ju thanë lëshone rrymën nuk po më intereson kur e keni ju montimin, furnizoni me rrymë siç jeni të licencuar, siç i keni marrë të drejtat. “Nëse nuk mundeni, ecni prej këtu, e bëjmë ne vetë”. Kështu ish dashtë më të thënë kryeministri”, ka thënë Gjinovci.

Tutje, ai ka ironizuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, për çmimin e energjisë në Kosovë. “Kryeministri del e na thotë: ‘Më fal po ne e kishim rrymën e lirë’. Unë nuk e kisha pasë ditë Jeta që ne kemi rrymë të lirë, unë u çudita”, është shprehur Gjinovci.

“Kryeministri duhet me u marrë me furnizimin, kryeministri një herë duhet me shkru një status pse nuk ka rrymë qendra e Prishtinës përfshi ndërtesa e Qeverisë, por ai nuk e di, sepse atij iu ka ndezë agregati automatikisht, ndërsa mua më është dashtë me u end tërë ditën në kafet e Prishtinës, sepse nuk kam pasë rrymë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Buzhala nga KEDS-i ka bërë të ditur se është kërkuar rritje e çmimit të energjisë elektrike për 7%.

“Ne kemi kërku rritje prej 7% për të gjithë shfrytëzuesit, ne nuk kemi kërku kthim të bllok tarifës”, ka thënë Buzhala.

Kurse Rron Gjinovci në këtë rast ka paralajmëruar protest.

“Përhajr protestat. Ka nisë shoqina jonë me jetu në iluzion që gjithçka po bëhet mirë, por sipas të gjitha gjasave ju keni më n’a dhanë motiv me protestu prap”, ka thënë Gjinovci.