Jeta ne Komnune - Ardian Gjini - Komuna Gjakove - Foto: Fatrion Ibrahimi

Gjini: Nëse konfirmohet aktakuza do të lirohen dhe suspendohen vartësit e mi

Në debatin “Jeta në Komunë” me kryetarin Ardian Gjini u diskutuan shumë tema.

Si temë ishte edhe drejtori me aktakuzë i zgjedhur që nga fillimi i mandatit të Gjinit.

Drejtori i Urbanizmit, Arben Bakalli dhe zyrtari i Komunës, Agron Gojani, po akuzohen nga Prokuroria për vepra korruptive të kryera në vitin 2018.

Akuza pretendon se në zonën ku ishte paraparë gjelbërimi, të njëjtit mundësuan leje ndërtimore për familjen Bakija, në Kompleksin Orize në Gjakovë.

Në pyetjen e Jeta Xharrës drejtuar kryetarit të Komunës së Gjakovës se pse po e lejon që në komunë me pasë drejtorë me aktakuza?, kryetari u përgjigj: “Unë i kam thirrë në zyrë drejtorin e Urbanizmit, Arbenin dhe Agronin, dhe ju kam tregu që në momentin kur konfirmohet aktakuza ne duhet të veprojmë sipas ligjit që parasheh suspendimin”.

Ai tha se nëse do të ketë vendim të prerë të Gjykatës, drejtori Bakalli do të lirohet nga detyra, ndërsa Gojani do të suspendohet ashtu qysh e parasheh ligji.

Në këtë rast, Agron Gojani po akuzohet për aprovimin e kërkesës për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli për nënshkrimin e vendimit dhe lejimin për ndërtim.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Ali Tafarshiku nga Alternativa, Mimoza Shala nga Vetëvendosje dhe Shpend Kumnova nga AAK-ja, ndërsa në Zoom Ideal Zhaveli nga Këshilli Rinor i Veprimit Lokal- KVRL.