Gjilan, vdes një punëtor derisa po shkarkonte kamionin

Policia e Gjilanit ka njoftuar se një person ka vdekur pasi mbi të kanë rrëshqitur disa struktura të rënda metalike gjatë procesit të shkarkimit të tyre.

“Me 14 mars 2020 rreth orës 11:50 nga Qendra emergjente në Gjilan, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan është njoftuar se aty është sjellë një person shqiptar shtetas i Kosovës (1971), pa shenja jete”, ka njoftuar Policia e Gjilanit.

Policia ka njoftuar se dy të dyshuar, personat përgjegjës të kompanisë për të cilën viktima kryente këtë ngarkesë, janë intervistuar nga hetues policor në prani të avokatit mbrojtës.

Dyshohet se ata nuk kishin vepruar në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Prokurori Kompetent për Krime të Rënda ka urdhëruar ngritje të kallëzimit penal :”Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe që ata të ndalen në Qendër të ndalimit për 48 orë.

“Hetimet rreth këtij rasti të rëndë janë duke i udhëhequr hetuesit e hetimeve rajonale në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka njoftuar Policia.

KALLXO.co merr vesh se i njëjti nuk ishte nga Komuna e Gjilanit por kishte shkuar te një kompani në Gjilan për të shkarkuar ngarkesën të cilën e kishte marrë nga kompania në të cilën punonte dhe e cila gjendet në Ferizaj.