Foto: Ilustrim

Gjilan, dyshohet se mashtroi punëtorin e postës, arrestohet një grua

Një grua është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një postier i një poste të shpejtë është ankuar se një grua, e cila fillimisht ishte paraqitur me një emër të rrejshëm, nuk kishte paguar një porosi në vlerë të 2 mijë e 650 eurove.

Ngjarja ka ndodhur në Gjilan, ndërsa Policia ka dhënë detaje të rastit.

Sipas njoftimit, më 18 shtator të këtij viti, punëtori i një poste kishte raportuar se kishte dërguar një porosi në vlerë të mbi 2 mijë eurove në Gjilan te një grua me inicialet M.H.

Kjo e fundit kishte pranuar porosinë nga punëtori i postës ndërsa dyshohet se kishte mashtruar të njëjtin duke i thënë se po shkon t’ i marrë paratë për pagesën.

Ajo ishte larguar në drejtim të panjohur ndërsa punëtori i postës e kishte lajmëruar Policinë.

Pas një pune hetimore, gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka arritur që ta identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarën, të cilës më pas i është zbuluar edhe identiteti i vërtetë inicialet e së cilës janë L.S.

Ajo është arrestuar për mashtrim ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Me urdhër të këtij të fundit S.L., është dërguar në mbajtje për 48 orë.