Foto: Komuna e Gjilanit/Facebook

Gjilan, 500 mijë euro për një QMF dhe 8 shtëpi për familjet në nevojë

Komuna e Gjilanit do të bëhet edhe me një Qendër të Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria dhe tetë shtëpi për familjet në nevojë.

Kjo do të bëhet e mundur nga memorandumi i nënshkruar mes organizatës Qatar Charity dhe Komunës së Gjilanit në vlerë 500 mijë euro.

“340 mijë euro janë të destinuara për ndërtimin e QMF-së, ndërkaq 160 mijë euro për ndërtimin e tetë shtëpive”, është bërë e ditur në njoftimin e komunës.

Ndërtimi i QMF-së në lagjen Arbëria në Gjilan dhe tetë shtëpive për familjet në nevojë do të realizohen në bashkëfinancim mes Komunës së Gjilanit dhe organizatës nga Katari.

“Sot kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi me drejtorin e organizatës Qatar Charity, Esam Dabab, për ndërtimin e një Qendre të Mjekësisë Familjare (QMF) në lagjen Arbëria dhe për ndërtimin e tetë shtëpive për familjet në nevojë”, theksohet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.