Gjermania vendos trupat e saj në vijën e zjarrit në rast se Putin sulmon NATO-n

Berlini zyrtar po lëviz me shpejtësi të pamësuar për të stacionuar një brigadë të re tankesh të blinduara në një zonë lituaneze që strategët e shohin si të rrezikuar nga një sulm rus.

Pushtimi rus i Ukrainës po e shtyn Gjermaninë të bëjë diçka të paprecedentë – t’i dislokojë në bazë të përgjithmonshme mijëra trupa vetëm rreth 100 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe pikërisht në vijën e zjarrit nëse Kremlini ndonjëherë fillon një sulm në territorin e NATO-s.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ishte në Vilnius të hënën për ta nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij lituanez Arvydas Anušauskas për t’i forcuar kushtet në të cilat 4,800 trupa gjermane plus 200 civilë do të vendosen në vendin baltik.

“Me këtë brigadë të gatshme për luftë, ne po marrim një përgjegjësi udhëheqëse këtu në aleancë dhe në krahun lindor të NATO-s” – ka deklaruar Pistorius, duke shtuar, “Shpejtësia e projektit tregon qartë se Gjermania e ka kuptuar realitetin e ri të sigurisë”.

Në shenjë të kërkesave në rritje ndaj Bundeswehr-it, një nga njësitë që përbën brigadën e re është Panzerbatallion 203 nga Augustdorf në North Rhine-Westphalia, por ajo njësi e blinduar i ka dorëzuar të gjitha tanket e saj ‘Leopard 2’ në Ukrainë dhe po pret për një kohë të re.

Pistorius ka shtuar se porosia për zëvendësimin e tankeve për 203-ën është përfunduar — dhe pasi të ndërtohen, ato do të dërgohen direkt në Lituani.

Mirëpo pa një plan adekuat financimi afatgjatë dhe pa sistemet e tyre kryesore luftarake Leopard 2, brigada e Lituanisë “nuk do të jetë as e gatshme për mbrojtje”, paralajmëroi Roderich Kiesewetter, një politikan dhe kolonel në pension në Bundeswehr me 27 vite shërbim.

“Përfundimi është se ose rimbushja e [Leopard 2] është përshpejtuar” përpara vendosjes, ka thënë Aylin Matlé, anëtare në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, ose Panzerbattalion 203 mund të dërgohet në Lituani “pa sistemin e tyre kryesor të betejës”.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se si vendosja përshtatet me financat e tendosura publike të Gjermanisë.

Pistorious ka thënë tutje se një njësi si ajo që dërgohet në Lituani – e quajtur Panzerbrigade 42 – kushton midis 25 dhe 30 milionë euro në muaj për t’u mirëmbajtur në Gjermani. Elementët e parë do të vendosen vitin e ardhshëm dhe brigada e plotë supozohet të jetë në vend deri në vitin 2027.

Lituania do ta ndërtojë infrastrukturën fizike për bazat, duke shpenzuar rreth 0.3 për qind të PBB-së së saj gjatë viteve të ardhshme, u ka thënë gazetarëve Laurynas Kasčiūnas, udhëheqësi i komitetit të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes të parlamentit lituanez.

Për momentin, Bundeswehr mund të mbështetet të paktën pjesërisht në një fond special prej 100 miliardë eurosh për ta plotësuar buxhetin e rregullt të mbrojtjes. Megjithatë, Kiesewetter ka thënë se ai është i shqetësuar për paratë “të thahen” më shpejt se sa parashikohej për shkak të inflacionit që po hynte në fond.

Por pavarësisht nga shqetësimet e pajisjeve dhe parave, Berlini është i përkushtuar ndaj dislokimit, të cilin qeveria gjermane e quan një “lighthouse project”, duke sinjalizuar gatishmërinë e tij për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s dhe për ta transformuar Bundeswehr-in në një forcë “të gatshme për luftë”.

“Krahu lindor tani është zhvendosur në lindje dhe është detyrë e Gjermanisë ta mbrojë atë”, ka thënë Pistorius.

Dislokimi aktual i Gjermanisë në Lituani është një nga tetë grupet e betejës të zgjeruara të ngritura nga NATO në vendet përgjatë kufirit të saj lindor; Gjermania është kombi kryesor në Lituani, me trupa që kontribuojnë gjithashtu nga Belgjika, Republika Çeke, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe SHBA.

Njësia e re do të bazohet në dy vendndodhje – Rukla pranë qytetit të dytë të Lituanisë të Kaunas dhe Rūdninkai pranë kryeqytetit Vilnius.

Këto baza i vendosën njësitë gjermane shumë pranë hendekut Suwałki – një pikë e ngushtë që lidh enklavën e Kaliningradit të Rusisë dhe aleatin e saj të ngushtë Bjellorusinë, që planifikuesit ushtarakë perëndimorë paralajmërojnë se ka të ngjarë të jetë një nga objektivat e para të Rusisë nëse Vladimir Putin do të zgjedhë të përshkallëzojë luftën në Ukrainë në një konfrontim me NATO-n./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala