Ilustrim

Gjermania planifikon t'i ndërtojë dy terminale të gazit natyror të lëngshëm

Gjermania do t’i ndërtojë dy terminale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), tha të dielën kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ai u zotua se Gjermania do të bëjë më shumë përpjekje për ta mbrojtur furnizimin me energji si dhe ta reduktojë varësinë e saj nga gazi rus.

“Ne duhet të bëjmë më shumë për ta mbrojtur furnizimin me energji të vendit tonë dhe për të mos u varur nga furnizues të caktuar të energjisë”, tha Scholz.

Gjermania është klienti më i madh i gazit në Rusi.

Evropa mbështetet në gazin rus me rreth 35% të gazit të saj natyror, kurse Gjermania mbi 50%.

Por, me kërcënimin e ndërprerjes së furnizimit pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Gjermania së bashku me vendet e tjera evropiane ka kërkuar t’i rrisë importet e gazit natyror të lëngshëm.

Në fillim të kësaj jave, Gjermania ndaloi certifikimin e gazsjellësit Nord Stream 2, i cili mund t’i transportonte 55 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia në Gjermani.

Dy terminalet e gazit natyror të lëngshëm po ashtu kanë të bëjnë edhe me hidrocentralet e gjelbra, sipas kancelarit gjerman.

“Ngjarjet e ditëve dhe javëve të fundit na treguan se një politikë energjetike që shikon nga e ardhmja është vendimtare për klimën dhe ekonominë tonë, por edhe për sigurinë tonë dhe kjo është arsyeja pse ne duhet t’i japim një shtysë energjive të ripërtërishme, sa më shumë të bëjmë aq më mirë”, tha ai.

Scholz njoftoi gjithashtu se për shkak të çmimeve të larta të energjisë, të rritura nga lufta në Ukrainë, qeveria ra dakord për një paketë me qëllim zbutjen e pagesave të energjisë për pensionistët dhe dhënien e ndihmës për familjet me të ardhura të ulëta.

Sot, është dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./CNN