Foto arkiv

Gjenden mbetje mortore në Prizren, po shqyrtohen nëse janë të viktimave të luftës

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se kanë gjetur mbetje mortore në Tusuz të Prizrenit, të cilat mund t’iu përkasin viktimave të luftës së fundit që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur.

Sipas njoftimit, gërmimet e filluara sot në mëngjes po vazhdojnë në tri lokacione në hapësirat e varrezave të qytetit të Prizrenit.

“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre” – njofton Komisioni.

Gërmimet po kryhen nga njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, nën kuadër të zbatimit të Planit të Punës nën koordinimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Këto gërmime në Tusuz të Prizrenit, sipas këtij njoftimi janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, konkretisht Departamentit Special.

Më tej thuhet se ky është lokacioni i 13-të i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës.