Gjashtë muaj burgim, pasi që sulmuan një person zyrtar në Dragash

 

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se janë dënuar me gjashtë muaj burgim dy të akuzuarit që sulmuan fizikisht një person zyrtar të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dragash.

Mirëpo, dënimi i tyre është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,500 euro.

“Me pëlqimin dhe propozimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me dënim me GJOBË në shumën prej 1,500.oo (njëmijepesëqind) euro”, njofton Gjykata Themelore në Prizren.

Më 18 qershor të 2021-tës, të akuzuarit E.B., (I) dhe E.B., (II), patën sulmuar fizikisht të dëmtuarin, pasi që i akuzuari E. B., (II) kishte dërguar një familjar për trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash. Fillimisht, të pakënaqur nga trajtimi mjekësor E.B., (II) ishte fjalosur me të dëmtuarin, teknik medicinal dhe pastaj përderisa i dëmtuari ishte duke u kthyer në shtëpi, dy të akuzuarit e kanë sulmuar atë duke e goditur me grushte dhe boksa e duke e rrëzuar në tokë.

“Të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të konstatuara nga akt ekspertimi mjeko-ligjor” thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Me këto verime, dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.