Gëzim Xërxa: Institucionet të angazhohen për trajtimin e sëmundjeve të punëtorëve

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, Gëzim Xërxa, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se institucionet duhet të angazhohen në trajtimin e sëmundjeve profesionale që vijnë nga angazhimet e punëtorëve në Kosovë.

“Konsideroj që është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse të angazhohen në trajtimin e sëmundjeve profesionale dhe të mirën me ato sëmundje në kuptimin e mbrojtjes së shëndetit të të punësuarve”, ka thënë ai.

Xërxa ka thënë se për ta bërë këtë është i nevojshëm Ligji për shëndetësi.

“Ligji për shëndetësi është i nevojshëm ta autorizojë mjekësinë e punës, që të merret me trajtimin e sëmundjeve. Ne ende nuk e kemi të definuar aspektin e listës së sëmundjeve profesionale që derivojnë nga angazhimet e punëmarrësve në Kosovë”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe shëndetit në punë tha se çdo subjekt juridik publik, privat apo publiko-privat e ka obligim që t’i dërgojë punëtorët në kontrolle mjekësore.

“Edhe në këtë drejtim çalojmë sepse vetëm dy institucione në Kosovë janë kredibile që të merren me kontrollime mjekësore siç janë Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës në Gjakovë dhe Instituti i Punës në Obiliq”, ka thënë tutje Xërxa.