QNR, Foto: KALLXO.com

GERMIN: Deri sonte në ora 19:00 u refuzuan mbi 12,500 votues nga jashtë

Organizata joqeveritare GERMIN ka bërë të ditur se deri sonte në ora 19:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, janë refuzuar 12,566 votues nga jashtë Kosovës, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të dhënat e OJQ-së tregojnë se 31,416 votues janë aprovuar, 26,069 është numri i zarfeve të hapura si dhe 43,982 janë votues të verifikuar.

“GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj organizate, një pjesë e zarfeve të refuzuara do të shqyrtohen edhe një herë nga KQZ para se të fillojë procesi i numërimit.

GERMIN është organizatë joqeveritare që përdor teknologjinë dhe kanalet virtuale për të lidhur dhe angazhuar diasporën në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të tyre.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi tha se në fillim të javës së ardhshme KQZ-ja pritet të dalë me rezultate përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët.

Elezi shtoi se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja.

Burimi: GERMIN