Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deri më 13 dhjetor KQZ-ja do t’i pranoj fletëvotimet me postë për Dragashin

Ende është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor 2021.

Këtë konfirmim e ka bërë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi për KALLXO.com.

Elezi tha se deri më 13 dhjetor KQZ-ja do t`i pranojë fletëvotimet.

“Deri të premten në mesditë, KQZ ka pranuar 99 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor”, tha ai.

Elezi ka shtuar se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të përsërisë rundin e dytë të votimit për kryetar të Dragashit, Rundi i dytë do të përsëritet vetëm për qytetarët që janë jashtë Kosovës dhe votojnë përmes postës.

Përsëritja e votimit nga diaspora për balotazhin në Dragash nis më 29 nëntor