Ilustrim

Gëlltiti një pjesë të lodrës, mjekët në QKUK i shpëtojnë jetën fëmijës 1-vjeçar

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se mjekët e Klinikës së Otorinolaringologjisë i kanë shpëtuar jetën fëmijës 1-vjeçar, i cili kishte gëlltitur një pjesë të lodrës.

SHSKUK thotë se fëmija fillimisht ishte është paraqitur në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe kishte vështirësi të madhe në frymëmarrje.

“Fëmija i moshës 1 vjeçare menjëherë nga Klinika Emergjente, është transferuar në Klinikën e Otorinolaringologjisë  për shkak të aspirimit të trupit të huaj (lodër plastike e rrumbullakët), gjë që e bën shumë të vështirë heqjen e trupit të huaj”- thuhet në njoftim.

Shërbimi Spitalorë thotë se ekipi kujdestar i mjekëve të ORL-së pas ndërhyrjes me bronkoskop, i kanë larguar fëmijës pjesën e lodrës me ç’rast sipas SHSKUK-së, “i lirohen rrugët e frymëmarrjes dhe i shpëtohet jeta”.

“Në këto kushte fëmija dërgohet me urgjencë në sallë të operacionit, ku thirret ekipi kujdestar i mjekëve të ORL-së, ata thërrasin me urgjencë mjekët e anestezionit, ku pas ndërhyrjes me bronkoskop, fëmijës i largohet pjesa e lodrës, i lirohen rrugët e frymëmarrjes dhe i shpëtohet jeta”- theksohet në komunikatë.

Me këtë rast, mjekët kanë apeluar tek prindërit që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët, duke mos u lënë gjëra të imëta që mund t’i gëlltisin dhe të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.